Prokuroria e Gjilanit fillon hetimet ndaj mësuesit që qethi nxënësin

Prokuroria e Gjilanit ka konfirmuar për KALLXO.com se ka filluar hetimet ndaj arsimtarit nga Gjilani i cili shihet në një video që po qarkullon nëpër rrjete sociale duke ja prerë flokët një nxënësi.

Në videon që po qarkullon nëpër rrjete sociale shihen pamje nga një shkollë për të cilën raportohet se gjendet në qytetin e Gjilanit dhe rasti thuhet se ka ndodhur në shkollën “Dëshmoret e Kombit”, në Fshatin Livoç i Ulët.

Në pamje shihet një arsimtar i cili i drejtohet një nxënësi me ton të lartë dhe kërkon nga ai që të ulet në karrige, në mënyrë që t’i ja pres flokët, siç duket nga video pa dëshirën e nxënësit.

Lidhur me këtë rast Prokuroria e Gjilanit e ka konfirmuar për KALLXO.com se ka intervistuar prindërit e nxënësit si dhe arsimtarin e dyshuar për veprën penale keqtrajtimi gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ose autorizimeve publike.

“Lidhur me rastin në fjalë, ju njoftojmë se Prokuroria Themelore në Gjilan, ka filluar veprimet fillestare hetimore, duke autorizuar policinë që të intervistojnë, prindin e fëmiut, arsimtarin, tani të dyshuarin, i cili është intervistuar në prezencë të avokatit mbrojtës, pasi dyshohet se ka kryer veprën penale ‘’Keqtrajtimi gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ose autorizimeve publike’’, nga neni 195 paragrafi 1 lidhur me paragrafin 2 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, thuhet në përgjigjen e pranuar nga Prokuroria Gjilanit.

Në përgjigjen e Prokurorisë thuhet po ashtu se Qendra për Punë Sociale është intervistuar edhe nxënësi, në prezencë të përfaqësuesit të tij ligjor.