Prokuroria e Gjakovës: I dyshuari kishte krijuar lidhje dashurie me të miturën

Dy raste të dhunimit seksual ndaj dy të miturave dyshohet se ndodhën gjatë ditës së djeshme në Gjakovë.

Për të dyja rastet, Prokuroria e Gjakovës ka kërkuar që të caktohet masa e paraburgimit ndaj dy të dyshuarve në afat prej 30 ditësh.

Për njërin nga këto dy raste, prokuroria tha se i pandehuri M.H., më 4 tetor 2022, në Gjakovë ka kryer akt seksual me të miturën pa pëlqimin e saj.

Tutje u tha se në këtë rast i pandehuri kishte krijuar lidhje dashurie me të dëmtuarën, e më pas kishin kontaktuar dhe ishin takuar.

Prokuroria tregon se të dy, viktima dhe i pandehuri i përfshirë në këtë rast kanë shkuar në një motel, ku dyshohet se M.H. ka kryer marrëdhënie seksuale me të dëmtuarën e mitur.

Sipas prokurorisë, pas kësaj rasti është paraqitur në Policinë e Kosovës.

Policia, në raportin 24 orësh kishte treguar se dje gjatë ditës janë raportuar dy raste të dhunës seksuale në Gjakovë ndaj dy vajzave të mitura.

Në njërin rast është raportuat një person i dyshuar, ndërsa në rastin tjetër është raportuar për dy persona të dyshuar.