Prokuroria e Ferizajt ka ndaluar 13 persona brenda javës për vepra të ndryshme penale
Me vendim të Prokurorit të shtetit, Prokuroria Themelore në Ferizaj, nga data 27 korrik deri më 02 gusht, në kohëzgjatje prej 48-orësh ka ndaluar trembëdhjetë (13) persona të dyshuar, për shkak të dyshimit se kanë kryer vepra të ndryshme penale.
Njoftimi lidhur me 13 personat e ndaluar brenda javës nga Prokuroria Themelore në Ferizaj është bërë i ditur sot më 02.08.2024.
Dhjetë (10) persona janë ndaluar për shkak të dyshimit se të njëjtit kanë kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” dhe veprën penale “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm”, tetë (8) prej tyre, kanë qenë të përfshirë në një rast, ndërsa dy persona të tjerë janë ndaluar në dy raste të ndara.
Ndërsa, tre (3) persona në tri raste të ndryshme, janë ndaluar për shkak të dyshimit për veprat penale “Dhuna në familje”, “Lëndimi i lehtë trupor” dhe “Lëndimi i rëndë trupor” sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Po ashtu gjatë kësaj jave Prokuroria Themelore në Ferizaj ka parashtruar kërkesë për caktimin e masës së arrestit shtëpiak ndaj (1) një personi në Gjykatën Themelore në Ferizaj dhe një kërkesë per caktimin e masës së paraburgimit kundër një (1) personi.
“Ndërsa, gjatë kësaj jave, Prokuroria Themelore në Ferizaj, ka parashtruar një (1) kërkesë për caktimin e masës së arrestit shtëpiak ndaj një (1) personi, në Gjykatën Themelore në Ferizaj, për shkak të dyshimit të bazuar se i njëjti ka kryer veprën penale “Lëndimi i lehtë trupor”nga neni 185 paragrafi 3 nën paragrafi 3.2 lidhur me nenin 1 Kodit Penal të Republikës së Kosovës dhe veprën penale “Kanosja” nga neni 181 paragrafi 4 lidhur me paragrafin 2 Kodit Penal të Republikës së Kosovës” – thuhet në njoftimin e lëshuar nga Prokuroria Themelore në Ferizaj.
“Kurse, një kërkesë tjetër është parashtruar për caktimin e masës së paraburgimit kundër një (1) personi për veprën penale ”Lëndimi i rëndë trupor” nga neni 186 paragrafi 3 Kodit Penal të Republikës së Kosovës” – thuhet tutje në njoftimin e lëshuar nga Prokuroria Themelore në Ferizaj.