Crime

Prokuroria e Ferizajt jep detaje tjera lidhur me vrasjen në Shtime

Prokuroria në Ferizaj ka dhënë detaje lidhur me vrasjen në Shtime.

Sipas njoftimit, ngjarja kishte ndodhur në ora 3:00 të mëngjesit në “Lagjen e Pajtimit” të qytezës së Shtimes, ku në atë rast ishte kryer edhe një grabitje.

“Sipas informatave të para që posedon Prokuroria, grabitësit janë konfrontuar me pronarin e shtëpisë dhe si pasojë e kanë plagosur  pronarin e shtëpisë me armë zjarri, ndërsa, 300 metra larg shtëpisë, është gjetur trupi i pajetë i njërit nga grabitësit”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë së Ferizajt.

Me urdhër të prokurorit kujdestar janë ndaluar dy persona prej 48 orësh ndërsa trupi i pajtë i viktimës është dërguar në obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore.

Ndryshe, Policia e Kosovës ka dhënë detaje rreth vrasjes në Shtime.

“Policia ka marrë një informatë rreth orës 03:20 për të shtëna me armë zjarri dhe ka dalë menjëherë në vend të ngjarjes. Raportohet se 3 ose 4 persona kanë tentuar ta grabisin një shtëpi”, tha Hajdini për KALLXO.com.

“Grabitësit e dyshuar kanë kërkuar nga pronari i shtëpisë që të dorëzohet por ai nuk ka pranuar. Më pas ata kanë gjuajtur me armë dhe e kanë plagosur në këmbë”, shtoi Hajdini.

“Identiteti i të vdekurit ende nuk dihet. Ai është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion. Vrasja ka ndodhur me mjete të forta ndërsa dyshohet të jenë përdorur edhe mjete të mprehta sepse hetuesit kanë gjetur një thikë në vendin e ngjarjes”, tha zëdhënësi Hajdini.

Vrasje në Shtime

www.kallxo.com