Prokuroria e Ferizajit ngrit aktakuzë ndaj dy personave për shitblerje të narkotikëve

Prokuroria Themelore në Ferizaj, më 31.07.2024 ka njoftuar se ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurve A. M. dhe B. I., për shkak të dyshimit të kryerjes së veprës penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e pa autorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë, ekziston dyshimi i bazuar se gjatë vitit 2023 deri më datë 15.01.2024, në Ferizaj, të pandehurit me dashje dhe pa autorizim, kanë shpërndarë, shitur ose ofruar për shitje, substanca të cilat me ligj parashihen si narkotikë.

Komunikata qartëson se që gjatë një kontrolli të një veture në të cilën pasagjer kishte qenë i pandehuri A. M., në fshatin Talinovc i Muhaxherëve të Ferizajt, nga ana e Policisë pas ndaljes për kontroll, të njëjtit i janë gjetur dhe sekuestruar substancë narkotike.

Substanca e cila precizohet të ketë qenë heroinë sipas përshkrimit të komunikatës ka qenë e ndarë në 5 qese e llojit me peshë të përgjithshme prej 24.8 gramë.

Këtë substancë narkotike paraprakisht përmes telefonit e kishte porositur për blerje i pandehuri B. I., i cili porosinë e kishte bërë në Gjilan dhe të pandehurit ishin marr vesh mes vete që këtë substancë narkotike të shkonte dhe ta merrte i pandehuri A. M., e të cilën substancë më tutje të pandehurit pastaj jua shisnin përdoruesve të ndryshëm në Ferizaj.

Po ashtu, të pandehurit B. I., gjatë kontrollit të banesës i janë gjetur dhe sekuestruar para në vlerë 61.61 euro, një peshore e vogël, një shishe me mbishkrim METADON, shiringa të përdorura dhe të papërdorura, foli alumini, shishe të improvizuara për përdorimin e narkotikëve.

E me të gjitha këto veprime Prokuroria e Ferizajt po pretendon se dy të pandehurit kanë kryer veprën penale të cekur mëlartë, përfundon komunikata.