Prokuroria e Apelit nuk ka prokuror për seancën e “Pronto-s”

Gjykata e Apelit është duke e mbajtur seancën e kolegjit në lidhje me rastin “Pronto”.

Në këtë seancë përpos mungesës së të akuzuarve, mungon edhe  përfaqësuesi nga ana e Prokurorisë së Shtetit.

Asnjëri nga Prokurorët e Apelit nuk është prezent në sallën e gjykimit për t’i paraqitur pretendimet e tyre në mënyre fizike dhe për të kundërshtuar ndonjë nga argumentet e avokatëve mbrojtës.

Ata nuk ishin prezent as për të dhënë ndonjë kundërshtim, kur dy gjyqtarë të Apelit sot deklaruan se kanë afërsi me njërin nga të akuzuarit e rastit.

Mos prezencën e prokurorit e ka arsyetuar Kryeprokurori i Prokurorisë së Apelit, Haxhi Dërguti.

Dërguti tha se Prokuroria e Apelit aktualisht është duke punuar me staf të kufizuar dhe se ka vetëm një prokuror të krimeve të rënda.

Dërguti mungesën e arsyetoi me situatën me COVID-19.

“Në krime të rënda momentalisht e kem veç një prokuror, dhe kjo është shkaku i mungesës së prokuroreve shkaku i situatës me COVID-19”, tha Dërguti.

Sot në Gjykatën e Apelit është duke u mbajtur seanca dëgjimore në kolegjin e Apelit  për rastin e njohur si opinionin “Pronto”.

Në fillim të kësaj seance dy gjyqtar të Apelit të cilët po e gjykojnë këtë çështje Ferid Osmani dhe Burim Ademi u deklaruan ne lidhje me relacionin e tyre me njërin prej te akuzuarve te rastit.

Gjyqtari Ferit Osmani deklaroi se të akuzuarin Sadat Gashi e ka të afërm të gruas ndërsa gjyqtari Burim Ademi deklaroj se me të pandehurin Gashi kanë banuar në një lagje.

I pyetur se a kanë kundërshtuar gjykimin e tyre në këtë çështje, kryeprokurori Dërguti tha se kjo është çështje e gjykatës dhe jo e prokurorisë.

“Ne nuk jemi të obliguar në bazë të ligjit me marrë pjesë në seanca, na e dërgojmë propozimin tonë, vendimin me shkrim, ne e kemi përkrah ankesën e prokurorisë speciale, kështu që a në ketë qasje as për përjashtim as asgjë nuk kemi qasje ajo është krejt problem i gjykatës”, tha Dërguti.

Në këtë çështje akuzohen 11 persona, zyrtar e ish zyrtar me pozita të ndryshme në institucione.

Pjesë e saj janë Adem Grabovci, Besim Beqaj, Zenun Pajaziti, Fatmir Shurdhaj, Xhavit Dakaj, Ilhami Gashi. Ismet Neziraj, Rexhë Abazi, Nijazi Kryeziu, Sadat Gashi dhe Arbenita Pajaziti.

Me anë të kësaj aktakuze Prokuroria e akuzon Adem Grabovcin se kishte ndikuar dhe tentuar të ndikojë në punësime dhe emërime në nëntë raste të ndryshme.

Për t’u përballur të gjitha këto akuza, Adem Grabovci dhe dhjetë të tjerët ishin ulur  për herë të parë në bankën e të akuzuarit më 15 nëntor të vitit 2018.

Të gjithë të akuzuarit ishin deklaruar se nuk e ndiejnë veten fajtorë për akuzat e Prokurorisë.

Pas disa shqyrtimeve gjyqësore, rastit “PRONTO”, i erdhi fundi. Më 3 janar 2020, trupi Gjykues i kryesuar nga Shashivar Hoti vendosi që 11 të akuzuarit t’i shpall të pafajshëm.