Foto: KALLXO.com

Prokuroria e akuzon Milaim Zekën për cenim të privatësisë

Prokuroria e Prishtinës ka ngritur aktakuzë ndaj ish-deputetit Milaim Zeka. Ai po akuzohet se ka kryer veprën penale të fotografimit dhe incizim të paautorizuar.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë, i akuzuari Milaim Zeka në maj të vitit 2017, në një restorant në Prishtinë, pa autorizim e ka incizuar palën e dëmtuar B.D., e më pastaj duke u bazuar në atë incizim, sipas Prokurorisë, i njëjti në rrjetin social “Facebook”, e ka publikuar edhe një artikull që aludonte në tani të dëmtuarën, duke përfshirë kështu jetën e saj privat.

Me anë të këtyre veprimeve, Prokuroria po pretendon se Milaim Zeka e ka cenuar privatësinë e të dëmtuarës B.D.

Sipas Prokurorisë i pandehuri Milaim Zeka ka kryer veprën penale Fotografimi dhe incizim të paautorizuar nga neni 205 par.2 lidhur me par.1 të KPPK-së.

KALLXO.com ka provuar që të kontaktoj me Mialim Zekën por i njëjti ka qenë i paqasshëm.