Foto: KALLXO.com

Prokuroria do të kërkojë paraburgim për 8 të dyshuarit për rrahjen e djalit të Nenad Rashiqit

Prokuroria e Prishtinë ka njoftuar se me aktvendim të Prokurorit të Shtetit ka ndaluar në mbajtje për 48 orë 8 personat e dyshuar për përfshirje në rrahjen e djalit të politikanit serb të Kosovës, Nenad Rashiq.

“Me aktvendim të Prokurorit të Shtetit, ka ndaluar për 48 orë personat me inicialet C.Z., B.Z., M.R., D.N., M.J., D.T., L.K., dhe një të mitur, pasi të njëjtit dyshohen se kanë kryer veprën penale “Pjesëmarrja në rrahje””, thuhet në komunikatë.

Tutje në komunikatë është bërë e ditur se Nikolla Rashiq ka pësuar lëndime të rënda si pasojë e rrahjes.

“Si pasojë e kësaj rrahje, personi me inicialet N.R., ka pësuar lëndime të rënda trupore, e cila gjendje është konstatuar nga ekspertiza mjeko-ligjore”, thuhet aty.

Sipas Prokurorisë, prokurori brenda afatit ligjor do të paraqesë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarve.​

Djali i politikanit të njohur serb të Kosovës, Nenad Rashiqit, është rrahur sot gjatë ditës derisa ai po dilte nga shkolla.

Nikolla Rashiq, djali i Nenad Rashiqit, është rrahur nga rreth 30 persona në fshatin Llapnasellë të Graçanicës derisa po dilte nga shkolla.

Nenad Rashiq, në një intervistë ekskluzive në “KALLXO Pernime” ka treguar se djali i tij është sulmuar me boksa të hekurt e çekiçë.

“Djali tani është në shtëpi. Nesër do t’i vazhdojmë kontrollet e mëtutjeshme. Pas përfundimit të shkollës, ka qenë një grup rreth 30 persona, që përveç boksave të hekurt, ata kanë pasur edhe çekiçë e thika. Unë kam pranuar që duhet ta paguaj çmimin e ideologjisë që kam, por me të vërtetë unë nuk kam pritur që djali im duhet ta paguajnë çmimin kaq jornomal”, tha Rashiqi në “KALLXO Pernime”.

Rrahet djali i Nenad Rashiqit në Graçanicë