Prokuroria dhe Inspektorati i Punës japin detaje për vdekjen e punëtorit në Gjilan

Një person nga Novobërda ka vdekur dje si pasojë e një lëndimi që ka pësuar në vendin e tij të punës.

Sipas Policisë së Kosovës, viktima është lënduar nga një mjet i metaltë dhe më pas është dërguar në emergjencën e Gjilanit ku edhe mjeku kujdestar ka konstatuar vdekjen e viktimës.

Prokuroria e Gjilanit në një përgjigje për KALLXO.com ka dhënë detaje lidhur me rastin.

Sipas Prokurorisë rasti ka ndodhur dje rreth orës 07:15, në një vend punishte ne Gjilan.

“Me datë 17.05.2022, rreth orës 07:15, në një vend punishte ne Gjilan, një punëtor ka marr lëndime të rënda dhe në Spital është konstatuar vdekja e tij. Trupi i pa jetë është dërguar ne Institutin e Mjekësisë Ligjore për autopsi.  Në vendin e ngjarjes përveç njësisë përkatëse të Policisë së Kosovës, kanë qenë edhe Inspektorët e Punës”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë.

Tutje thuhet se rasti është cilësuar si Asgjësimi, dëmtimi ose heqja e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikimi i sigurisë në vendin e punës.

“Zyrtarët policorë janë duke zhvilluar intervistat”, ka thënë Prokuroria e Gjilanit për KALLXO.com.

Lidhur me rastin KALLXO.com ka kontaktuar edhe Inspektoratin e Punës.

U.D Kryeinspektori i Inspektoratit të Punës, Agim Millaku ka thënë se bëhet fjalë për lëndim nga kallëpet për beton.

“Rasti tani është në procedurë e sipër, bëhet fjalë për lëndim nga kallëpet për beton, është punëtor i një kompanie në Mitrovicë që është marrë me prodhimin e këtyre mureve të betonit. Nuk dihen shkaqet pse ka ardhur deri tek rasti”, ka thënë Millaku për KALLXO.com.

Tutje ai ka thënë se rasti është në procedurë e sipër.

“Inspektoret kanë qenë në vendin e ngjarjes e kanë trajtuar situatën me informacionet fillestare, rasti pritet që të përditësohet”, ka thënë ai.

Vdes në vendin e punës një person nga Novobërdë