Prokuroria demanton lajmet lidhur me rihapjen e grupit 'AlbKings'
Prokuroria Themelore në Prishtinë ka demantuar raportimet të cilat kanë thënë se është hapur prapë grupi i njohur për intimidim, shqetësim e ngacmim të grave e të vajzave në platformën Telegram – “Albkings”.
“Me qëllim të informimit të saktë të opinionit publik, demantojmë lajmin i cili është duke qarkulluar në portalet vendore se është hapur përsëri grupi Albkings” – tha Prokuroria.
“Pra ky lajm iu bëjmë me dije se i njëjti është i bazuar në grupin e mbyllur së fundmi nga organet e hetuesisë, për çka iu kemi njoftuar përmes konferencës së mbajtur gjatë ditës së djeshme” – u tha tutje.
Përmes këtij reagimi, Prokuroria iu bëri apel të gjitha mjeteve informuese të kenë parasysh vërtetësinë e lajmit para se të plasohet në opinionin publik, pasi u tha se lajme të tilla të pavërteta cenojnë sigurinë juridike të qytetarëve tonë dhe kanë për qëllim ndikimi në imazhin e institucioneve të Republikës së Kosovës.
“Po ashtu, iu sigurojmë se në çdo kohë jemi në monitorim të kësaj çështjeje dhe në qoftë se ka tendencë të hapjes së këtij grupi apo çfarëdo grupi tjetër të ngjashëm, prokuroria në koordinim me policinë do t’i ndërmerre masat e nevojshme” – shtoi Prokuroria.
KALLXO.com raportoi më 30.05.2024 se në këtë grup pa autorizim është shpërndarë edhe numri i një prej gazetareve të KALLXO.com. (Emrin e së cilës redaksia ka vendosur mos ta publikojë).
Më datë 06.05.2024, gazetares së KALLXO.com i ishte shpërndarë numri personal i telefonit pa autorizim.
Publikimi i numrit të gazetares u bë pas publikimit të një hulumtimi në lidhje me një rast të dhunës në familje, ngjarje kjo e cila ishte publikuar më 05.05.2024.
Disa orë më vonë, rasti është raportuar dhe denoncuar edhe në Policinë e Kosovës dhe në Prokurorinë Themelore në Prishtinë, ndërsa nisën edhe arrestimet. Policia i arrestoi 7 persona të dyshuar. Sipas Prokurorisë së Prishtinës grupi është mbyllur përfundimisht.
Të dielën nga ora 20:10 “KallxoPernime” do të sjell pamje ekskluzive nga operacionet e zhvilluara gjatë 3 javëve të fundit nga arrestimet dhe bastisjet e Policisë lidhur me shkatërrimi i grupit “AlbKings”.
Shënim: Redaksia e KALLXO.com ka vendosur që për shkak të sigurisë kibernetike të gazetarëve të mbulojë emrin e gazetarëve.