Prokuroria del me njoftim për shtetasin serb, të arrestuar nën dyshimin "për përgatitje të vrasjes"
Prokuroria e Prishtinës ka njoftuar se ka arrestuar R. B., shtetas i Serbisë, nën dyshimin se ka kryer veprat penale “mashtrim”, “prezantim i rremë si person zyrtar” dhe “përgatitje për vrasje”.
Sipas njoftimit të Prokurorisë, janë bërë hetime disa mujore në bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe më 05.12.2024 është realizuar bastisja ndaj të arrestuarit.
“Pas një pune hetimore disa mujore të Prokurorit të Shtetit, në bashkëpunim dhe koordinim me Policinë e Kosovës, më datë 05.12.2024 është kryer bastisje; si dhe, arrestimi i një të dyshuari me inicialet R. B., shtetas i Republikës së Serbisë, për shkak të dyshimit se ka kryer veprat penale “përgatitja për kryerjen e veprës penale ‘vrasja'” – nga Neni 172, lidhur me Nenin 27 të KPRK-së, “prezantimi i rremë si person zyrtar” nga Neni 409 të KPRK-së dhe veprën penale “mashtrimi” nga Neni 323 të KPRK-së. Prokurori i Shtetit është duke vazhduar t’i marrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore për zbulimin e ndonjë të dyshuari tjetër eventual lidhur me këtë rast.” – thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
Kujtojmë që – sipas raportit ditor të Policisë së Kosovës – i arrestuari dyshohet për: “përgatitje të veprës penale ‘vrasje’”, “prezantim të rremë si person zyrtar” dhe “mashtrim”.
Policia kishte thënë se veprat penale dyshohet, se kanë filluar që nga data 03.04.2024.
Policia kishte njoftuar se, lidhur me rastin gjatë kontrollit në banesën e tij, si prova materiale ishin sekuestruar dokumente të ndryshme.
Arrestohet një shtetas i Serbisë në Fushë Kosovës, dyshohet për përgatitje të vrasjes