Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Prokuroria autorizon Policinë të merret me rastin, pas deklaratës së Bislimit se u kërcënua nga deputeti Tahiri

Prokuroria e Prishtinës e ka konfirmuar për KALLXO.com se pas deklaratës së zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi, se është kërcënuar nga deputeti i PDK-së, Abelard Tahiri, Prokurori i Shtetit e ka autorizuar Policinë për tu marrë me rastin.

“Referuar pyetjes suaj, iu njoftojmë se Prokurori i Shtetit ka autorizuar policinë për ndërmarrjen e të gjitha veprimeve të nevojshme lidhur me këtë çështje”, ka thënë për KALLXO.com zëdhënësja e Prokurorisë së Prishtinës, Laureta Ulaj.

Gjatë seancës së sotme të Kuvendit të Kosovës, zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi ka thënë se është kërcënuar nga deputeti i PDK-së Abelard Tahiri në seancën e sotme të Kuvendit.

Bislimi tha se deputeti e kërcënoi “në stilin e një banditit që i vendos shurdhuesin armës së tij”.

“Ish-ministri i Drejtësisë dhe deputeti Abelard Tahiri nga kjo foltore nxori një sërë akuzash për ministren Haxhiu ndërkaq pasi u mbyll mikrofoni, në stilin e një banditit që i vendos shurdhuesin armës së tij, u kthye nga unë dhe shprehi një sërë kërcënimesh të cilat apstaj i shoqëroi me sharje dhe fyerje nga ulësja e tij. Dhe mendoj që do të ishte shumë mirë që Prokuroria të merret me këtë rast”- tha Bislimi.

Pas kësaj reagoi deputeti i PDK-së, Abelard Tahiri, duke thënë se “qeveria është çoroditur”.

“Vërtet është një çoroditje e kësaj qeverie. A jeni duke e pa sjelljen e këtij [Bislimit] sjelljen e kësaj [Haxhiut], këta e kanë një siklet shumë të madh, kanë një problem tepër të madh. Këta janë në një siklet që as vendi vend nuk po i zen. Ky edhe flet akuza të pa baza, del në foltore, flet të pavërteta, ky me të vërtetë është në gjendje të rëndë edhe psikike, prandaj ne i kërkojmë fokus angazhim e punë kësaj Qeverie në krye të detyrave të saja”- tha ai.

Deputeti tha se debati është degjeneruar.

“Ju si pozitë duhet me dalë me ju bë thirrje Qeverisë me qenë në krye të detyrës e jo me dalë me sulmu deputetë të opozitës të cilët ngrisin çështje të rëndësishme për sovranitetin e vendit tonë. E keni degjeneru debatin. Jeni sanksioniu. A jeni tu e pa që jeni tu e humbë përkrahjen e miqve tanë më të mëdhenj që na kanë ndimu me bo shtetin tonë”- tha ai.

Edhe ministri i Financave, Hekuran Murati tha se deputeti Abelard Tahiri ka kërcënuar zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi.

“Pak minuta më parë isha edhe unë dëshmitar dhe mund ta konfirmoj atë që e tha zv.kryeministri Bislimi se pas mbylljes së mikrofonit duke u ulur në ulësen e tij, deputeti Ableard Tahiri e kërcënoi dhe e shajti zv.kryeministrin Besnik Bislmi. Ftoj Prookurinë ta marr shumë seriozisht kërcënimin e një personi që ka mbajtur armë me shurdhues për kaq vite”- tha ministri.

Pas tërë këtyre akuzave reagoi edhe nënkryuetarja e Kuvendit Sraanda Bogujevci e cila u tërhoqi vërejtjen deputetëve dhe ministrave për gjuhën e përdorur në seancë.

Bislimi thotë se është kërcënuar nga deputeti Tahiri, fton Prokurorinë të merret me rastin