Prokurori tregon për masat e fshehta që zbuluan grupin e dyshuar për fajde

Prokurori, Ersan Qavolli, cili ka trajtuar rastin për fajde në Pejë në emisionin “Kallxo Përnime” ka treguar rrugën që është ndjekur për të zbuluar rastin të cilin e ka raportuar një qytetar në Prokurori.

Prokurori Qavolli ka përmendur masat e fshehta të cilat janë përdorur.

“Si prokurori kemi filluar hetimet para dy jave, ku kemi kërkuar zbatimin e masave të fshehta, blerja e simuluar e ndonjë sendi, fotografimi i fshehtë në vende publike dhe private, si dhe monitorimi i bisedave në vende publike dhe private”, ka thënë prokurori.

Pagesa e fajdeve do të bëhet nën monitorimin e prokurorit të rastit.

“Të dëmtuarit  i janë dhënë disa të holla në vlerë prej 1 mijë e 300 euro, të cilat janë fotografuar, janë regjistruar me numra serikë dhe i dëmtuari pritet që t’ia dorëzojë të pandehurit si lloj të kamatës, për shkak të fajdesë që e ka marrë”, ka shpjeguar prokurori Qavolli.

Tutje, ai ka treguar se si Prokuroria ka marrë informacionet e para.

“Informacionet e para në këtë rast janë se i pandehuri i ka dhënë para me fajde të dëmtuarit në vlerë prej rreth 13 mijë euro, ndërsa i dëmtuari për këto para, ndërsa i dëmtuari në emër të kamatës ka paguar deri më tani 15 mijë euro, ndërsa i pandehuri kërkon më shumë para si rezultat i ndëshkimeve për shkak të vonesave dhe presim takimin që do të bëhet mes të pandehurit dhe të dëmtuarit”, ka treguar prokurori.