Prokurori Smith mirëpret vendimin ndaj Gucatit e Haradinajt, angazhohet të ndjekë penalisht të gjitha rastet e frikësimit të dëshmitarëve

Zyra e Prokurorit të Specializuar ka mirëpritur vendimin për dënimin e ish-krerëve të OVL-së së UÇK-së, Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj.

Përmes një komunikate për media bëhet e ditur se prokurori i specializuar, Jack  Smith, pas vendimit të sotëm shprehu angazhimin e tij për të hetuar dhe ndjekur penalisht me vigjilencë të gjitha rastet e frikësimit të dëshmitarëve, hakmarrjes ndaj dëshmitarëve dhe pengimit të drejtësisë.

“Sot është vendosur drejtësi. Z. Gucati dhe Z. Haradinaj janë shpallur fajtorë për krimet e tyre, pas një gjykimi transparent, të kujdesshëm dhe të drejtë të këtij rasti të rëndësishëm”, tha prokurori i specializuar.

Tutje, në komunikatë potencohet se ashtu siҫ u deklarua sot nga trupi gjykues, mbrojtja e dëshmitarëve nga frikësimi dhe lëndimi qëndron në themel të ҫdo sistemi të drejtësisë penale – aktet dhe sjellja e të akuzuarve iu kundërvunë pikërisht këtij themeli.

“Aktet dhe deklaratat në këtë lëndë kanë ndodhur në një klimë frikësimi, siҫ ishin gjetjet e gjykatësve sot”, citohet të ketë thënë prokurori Smith.

Tutje, prokurori i specializuar ka thënë se do të bëjë gjithçka që është në pushtetin e tij që t’i ndjekë penalisht ata që kanë frikësuar dëshmitarët.

“Zyra e Prokurorit të Specializuar do të vazhdojë fuqishëm hetimet dhe ndjekjen penale të të gjitha akteve të frikësimit të dëshmitarëve, hakmarrjes ndaj dëshmitarëve ose pengimit të drejtësisë. Dhomat e Specializuara të Kosovës kanë mundësinë unike që të japin drejtësi për viktimat sepse ato janë një vend i sigurt ku dëshmitarët mund të flasin hapur për krimet që kanë parë dhe pësuar përpara më shumë se 20 viteve. Frikësimi apo hakmarrja ndaj këtyre viktimave është, sipas mendimit tim, krim shumë i rëndë që godet në zemër aftësinë e këtij institucioni për të dhënë drejtësi dhe sundimin e ligjit. Nëse përpiqeni të frikësoni apo të hakmerreni ndaj dëshmitarëve të kësaj gjykate, unë do të bëj gjithҫka që është në pushtetin tim dhe të sigurohem që ju të dilni përpara drejtësisë”, ka thënë Smith.

Gucati e Haradinaj shpallen fajtorë