
Dhurata Hoxha, Ministre e Integrimeve Europiane - FOTO-KALLXO.com
Prokurori pretendon se gjyqtari në rastin e ish-ministres Hoxha ka lidhje shoqërore me bashkëshortin e saj
Prokurori Dren Paca, i cili është prokuror në rastin e ish-ministres Dhurata Hoxha ka paraqitur dyshime për lidhje shoqërore të gjyqtarit të rastit me burrin e ish-ministres.
Prokurori ka kërkuar përjashtimin e kryetarit të trupit gjykues, Arben Hoti, për shkak të këtyre dyshimeve, kërkesë kjo që ishte refuzuar nga nënkryetari i gjykatës së Prishtinës, Dren Rogova.
Prokurori në parashtresën e tij ka kërkuar përjashtimin e gjyqtarit Hoti, pasi sipas tij kishte marrë informacion nga burime të ndryshme të pakonfirmuara deri më tani se kryetari i trupit gjykues Hoti, kishte lidhje shoqërore me bashkëshortin e Dhurata Hoxhës.
“Ka shtuar se prokurori i shtetit deri në këtë fazë nuk posedon informata të konfirmuara lidhur me theksimet si më lartë, megjithatë ka konsideruara se prezantimi i këtyre rrethanave në këtë fazë e vë në dyshim paanshmërinë e gjyqtarit dhe i njëjti gjithsesi duhet të përjashtohet” – thuhet në aktvendimin e gjykatës.
Në anën tjetër, gjyqtari Hoti ka deklaruar se kjo kërkesë për përjashtim nuk përmban asnjë fakt relevant, dhe se është e përgjithësuar, duke shtuar se personin në fjalë për të cilin prokurori ka kërkuar përjashtimin, për të njëjtin nuk ka dëgjuar kurrë më parë.
“..nuk e njeh, rrjedhimisht e as të këtë qëndruar apo ndenjur me të në çfarëdo rrethanë. Pra në lidhje me këtë person ka cekur se ka dëgjuar për herë të parë nga shkresa e prokurorit” – thuhet tutje në vendimin e gjykatës referuar pretendimeve të gjyqtarit.
Ndërsa kërkesa e prokurorit është refuzuar si e pabazë sepse gjykata duke ju referuar Kodit të procedurës, ka potencuar se pala detyrohet që në kërkesë të theksojë rrethanat në të cilat e mbështet pretendimin për ekzistimin e bazës ligjore për përjashtim.
“Zëvendës kryetari i gjykatës… ka vlerësuar se nuk është prezantuar asnjë rrethanë nga e cila do të vihej në dyshim paanshmëria e gjyqtarit ose që do duket e papërshtatshme, e të cilat rrethana do të arsyetonin përjashtimin e kryetarit të trupit gjykues” – thuhet tutje në vendim.
Po ashtu sipas shkresës nënkryetari ka vlerësuar se nga shkresat e lëndës nuk rezulton ndonjë veprim i ndërmarrë nga kryetari i trupi gjykues, nga i cili veprim mund të vihet në dyshim paanshmëria dhe objektiviteti i tij.
KALLXO.com ka provuar te marre një përgjigje nga ish-ministrja Hoxha por e njëjta deri në publikimin e këtij artikulli nuk ka kthyer përgjigje.
Dhurata Hoxha bashkë me drejtorin e prokurimit, Fitim Mustafa, dhe tre ish-sekretarët e Ministrisë së Integrimeve Evropiane, Demush Shasha, Kushtrim Cukaj dhe Nuhi Osmani, po akuzohen nga Prokuroria Speciale e Kosovës se kishin keqpërdorur pozitën dhe detyrat e tyre me rastin e inicimit dhe nënshkrimit të kontratës për lobim me kompaninë franceze.
Më 1 shtator 2021 ish ministrja dhe zyrtarët e tjerë u deklaruan të pafajshëm për aktakuzën e Prokurorisë Speciale.
Hetimet në këtë rast penal filluan pas hulumtimit të KALLXO.com lidhur me ‘Kontratat lobuese’.