Ilustrim

Prokurori: Ndaj grupit të dyshuar për fajde do të ketë edhe hetim financiar

Pesë persona janë vënë në pranga nën dyshimin se po merreshin me fajde në Prizren.

Të njëjtit ishin arrestuar gjatë një aksioni të zhvilluar muajin e kaluar në Prizren ndërsa u kryen edhe bastisje në disa lokacione të ndryshme ku u konfiskuan një mori provash të cilat prokurori i rastit thotë se do t’i përdorë për të faktuar veprat për të cilën janë arrestuar të dyshuarit.

Gjithashtu prokurori Petrit Kryeziu tregoi se ndaj të njëjtëve do të ketë edhe hetim financiar.

“Jemi të interesuar që këto grupe t’i godasim edhe në pasuri, kjo është më e rëndësishmja sepse ne do të vazhdojmë që të kryejmë hetime financiare në mënyrë që të gjitha pasuritë e paligjshme të fituar në mënyrë të kundërligjshme ta konfiskojmë dhe këta persona jo vetëm që të dërgohen në burg mos t’i lejojmë që të ardhmen të kemi viktima të tjera duke u dhënë të holla”, thekson prokurori Kryeziu.

Arrestimet për fajde në Prizren, Foto: KALLXO.com

Ai tutje tregon se hetimet financiare kanë filluar paralelisht me ato penale.

“Në këtë rast i kemi angazhuar edhe njësitet speciale që kanë të bëjnë vetëm me hetime financiare dhe jemi duke vazhduar edhe me zbulim të të dhënave financiare. Janë hetime të cilat bëhen edhe për trungun familjar dhe jemi të interesuar që në secilin rast që gjejmë hapësirë të aplikojmë edhe ligjin për kompetenca të zgjeruara të konfiskimit që ta konfiskojmë çdo pasuri që nuk mund ta arsyetojnë personat e dyshuar”, thotë Kryeziu.

Ai shton se të dyshuarit fillimisht nuk e kanë pranuar kryerjen e kësaj vepre penale për veprimtari me fajde por që të njëjtit më pas janë ballafaquar edhe me provat e siguruara gjatë arrestimit dhe masat e fshehta.

“Kur vijnë në këtë zyrë dhe të ballafaqohen atëherë fillojnë dhe i pranojnë veprat dhe janë avokatët ata që mundohen të shfrytëzojnë edhe procedurat alternative që të hyjnë në marrëveshje dhe jemi ne që vlerësojmë më pas”, shton tutje prokurori.

Sipas tij viktimat e fajdeve duhet të lajmërohen me kohë në organet e rendit.

“Jemi shumë të gatshëm dhe të vendosur që secila viktimë edhe në kohën që po flasim edhe gjatë arrestimeve, e dimë qe ka edhe persona të tjerë që janë duke u marrë me këtë veprimtari, jemi të vetëdijshëm edhe në Prizren”, tregon Kryeziu.

“E di që ka shumë viktima të tjera por këta të fundit duhet të dinë se nëse vazhdojnë të jenë viktima të fajdeve do ta shkatërrojnë vetveten e tyre, familjet dhe pasurinë e tyre e atëherë do të jetë vonë”, shton tutje.

Sipas tij nëse rastet lajmërohen me kohë atëherë mundësia që të mblidhen prova të mjaftueshme është më e madhe.

Konfiskimi i parave për fajde në Prizren, Foto: KALLXO.com

Sipas prokurorit Kryeziu problemi në trajtimin e rasteve të fajdeve është bashkëpunimi me viktimat.

“Në këtë rast kemi disa viktima por njëri nga ta ka zgjedhur që të bashkëpunoj me ne, të tjerët deri në këtë fazë nuk kanë bashkëpunuar edhe pse kemi pasur dyshim të arsyeshëm që ata janë viktima të fajdesë”, shton tutje Kryeziu.

Në aksionin për fajde në Prizren që ndodhi muajin e kaluar prokurori Kryeziu tregoi edhe se çka kishin konfiskuar.

“Kemi bastisur 8 lokacione dhe nga ajo që kemi siguruar, ka prova të ndryshme të cilat faktojnë veprën penale të fajdesë. Kemi sekuestruar laptopë, kompjuterë, telefona, para, armë, vetura, regjistra të ndryshëm që kanë të bëjnë me shifra të parave dhe emra të ndryshëm”, thotë ai.

Aksioni për fajde, Foto: KALLXO.com