Prokurori kërkon shtyrjen e seancës ndaj Pjetër Ndrecajt

Gjykata e Gjakovës dështoi të mbajë seancën ndaj Pjetër Ndrecajt, i akuzuar për vrasjen e gruas dhe vajzës.

Megjithëse u soll në gjykatë me zinxhirë e jelek antiplumb, Ndrecaj nuk u ballafaqua me dëshmitë që priteshin të jepen sot.

Prokurori i kësaj lënde, Ali Uka kishte kërkuar që seanca të shtyhet meqë gjendet në Prishtinë për shkak të urgjencës familjare.

Prokurori Ramiz Buzhala kishte ardhur në gjykatë për të njoftuar me kërkesën e prokurorit Ali Uka.

“Po ashtu, mua më është dorëzuar lënda sot në ora 9, do të thotë pak para nisjes së seancës dhe është kohë e pamjaftueshme për përgatitje”, tha Buzhala.

Sot ishte paraparë të dëgjoheshin disa dëshmitarë.

Trupi gjykues me kryetar Gëzim Pozhegun dhe anëtarët Mizair Shabani dhe Ilir Rashkaj, caktuan datat 22, 23 dhe 24 janar për seancat e mëtejmë për këtë rast.

Pjetër Ndrecaj akuzohet për vrasjen e gruas së tij Valbona Ndrecaj dhe vajzës së tij 9 vjeçare.

Pjetër Ndrecaj, ishte gjykuar e dënuar për vrasjen e bashkëshortes dhe vajzës së tij.

Nga Gjykata e Apelit, Pjetër Ndrecajt, iu dha dënimi më i lartë në Kosovë, dënim ky me burgim të përjetshëm, ndërsa gjykata Supreme kishte vendosur që këtë rast ta kthejë në rigjykim.

Kolegji i Gjykatës Supreme, kishte konstatuar se në aktgjykimin e shkallës së parë ishin bërë shkelje esenciale të procedurës penale, e më pas gjykata e shkallës së dytë kishte kaluar mbi këto shkelje.

Në seancën e fundit të mbajtur në muajin tetor, ishte kërkuar raport psikiatrik për të akuzuarin.

Në seancën fillestare, Pjetër Ndrecaj nuk e kishte pranuar fajësinë për vrasjen e gruas dhe vajzës së tij.

Për këtë rast ishte kërkuar përjashtimi i gjykatës dhe prokurorisë.

Kujtojmë se para tre muajsh, ishte djegur shtëpia ku jetonte Familja e Valbona Marku Ndrecaj.

Valbona Ndrecaj së bashku me vajzën e saj ishin qëlluar për vdekje nga kryefamiljari mbrëmjen e shtatë gushtit 2018.

https://kallxo.com/kthehet-nga-fillimi-gjykimi-i-pjeter-ndrecajt/