Prokurori kërkon paraburgim për Rafet Ibishin dhe katër persona të tjerë për incidentin në Trepçë

Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka kërkuar nga Gjykata Themelore në qytet paraburgim për ish-ushtruesin e detyrës së kryeshefit të “Trepçës”, Rafet Ibishi dhe katër personave të tjerë.

Ibishi dje rreth orës 10:00 u përfshi në një incident brenda hapësirave të objektit të Ndërmarrjes Publike. Ai, së bashku me katër punonjës të “Trepçës” dyshohet se sulmuan fizikisht u.d. kryeshefin e ri të kësaj ndërmarrjeje, Enis Abdurrahmani dhe drejtorin e Administratës, Besim Haxhiu.

“Prokuroria Themelore në Mitrovicë  – Departamenti i Përgjithshëm, ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Mitrovicë caktimin e paraburgimit për të dyshuarin R. I., për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale “Sulmi“ nga neni 184 paragrafi 1 i KPRK, ndërkaq për të dyshuarit B. S., B. I., Sh. R., dhe Z. I., për shkak të ekzistimit të dyshimit të bazuar për kryerjen e veprave penale “Lëndimi i lehtë trupor” nga neni 185 paragrafi 1, dhe “Sulmi ndaj personit zyrtar” nga neni 402 paragrafi 2 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

“Sipas kërkesës së prokurorisë të dorëzuar në gjykatë, ekziston dyshimi i bazuar se të dyshuarit, duke qenë të pakënaqur me vendimin e Qeverisë së Kosovës mbi caktimin e drejtorit të ri në Kombinatin Trepça, nën udhëheqjen e ish-drejtorit R. I., punëtorët janë mbledhur dhe kanë protestuar, me ç‘rast i dyshuari – ish drejtori R. I., e ka sulmuar fizikisht drejtorin e ri E. A.”, vijon njoftimi.

Prokuroria ka dhënë detaje se përveç Ibishit janë edhe katër persona të përfshirë në incident.

“Të dyshuarit B. S., B. I., Sh. R., dhe Z. I., kanë sulmuar fizikisht të dëmtuarit E. A., dhe B. H., të cilët kanë pësuar lëndime të lehta trupore, dhe po ashtu këta të dyshuar kanë sulmuar zyrtarët policorë që kanë ndërhyrë në këtë rast, me ç`rast zyrtarët policorë kanë pësuar lëndime të lehta trupore”, thuhet në njoftim.

Pesë të dyshuarit janë ndaluar me vendim të prokurorit ditën e djeshme dhe të njëjtit gjendet në ndalim 48 orësh.

Seanca për caktimin e paraburgimit për të ndaluarit pritet të mbahet para gjyqtarit të procedurës paraprake të Gjykatës Themelore në Mitrovicë.

Incidenti në ‘Trepçë’, Abdurrahmani: Policia reagoi shpejt e na shpëtoi nga eliminimi

www.kallxo.com