Gjykimi ndaj Sokol Bashotës - 16.02.2021 - FOTO - Vyrtyte Gërvalla - KALLXO

Prokurori: Jemi të habitur se si pas 40 provave i akuzuari Sokol Bashota nuk e pranon fajësinë

Drejt fundit është duke shkuar rigjykimi i ish-kryetarit të Klinës, Sokol Bashota dhe ish-nënkryetarit, Enver Berisha.

Sokol Bashotës dhe Enver Berishës u vihet në barrë vepra penale – mosdeklarimi i pasurisë.

Ata janë dënuar për këtë vepër penale.

Madje gjykatësi kishte shprehur keqardhje në momentin kur e kishte dënuar ish kryetarin e Klinës, Sokol Bashotën.

Bashota e Berisha edhe sot u mbrojtën në heshtje.

Edhe pse u mbrojtën në heshtje Bashota sot para Gjykatës tha se gjykimi ndaj tij është nisur për të njollosur autoritetin e tij.

“Ky gjyq është nisur për të njollosur autoritetin tim dhe dinjitetin tim dhe me shumë si urrejtje ndaj atyre që kanë udhëheq e bërë luftën siç jemi mësuar”, deklaroi Bashota.

Ndërsa prokurori Ersan Qavolli elaboroi para Gjykatës mbi 40 prova që sipas tij vërtetojnë fajësinë e të akuzuarve, duke kërkuar përpos dënimit kryesor që të akuzuarve t’u ndalohet ushtrimi i profesionit në administratën publike apo shërbime publike.

Prokurori tha se përkundër obligimit ligjor, Bashota në cilësinë e kryetarit të Komunës së Klinës nuk e ka deklaruar banesën në sipërfaqe prej 79 metra katrorë dhe një veturë “BMW X5”.

Qavolli tha se në shkresat e lëndës gjendet kontrata mbi dhuratën e lidhur mes Selim Bashotës si dhuratëdhënës dhe Sokol Bashotës si dhuratëmarrës, e vërtetuar në Gjykatën Komunale në Prishtinë.

Pastaj prokurori deklaroi se aktvendimi më të cilin pronësia është bartur tek i akuzuari Sokol Bashota ka për bazë kontratën mbi dhuratën në vitin 2006.

Prokurori tha se këtë banesë përmes kontratës për shitblerje të paluajtshmërisë Bashota ia kishte shitur Xhemajl Xhemajlit, çka vërteton se e njëjta ka qene në pronësi të Bashotës.

“Kontrata për shitblerjen e paluajtshmërise mes të akuzuarit Sokol Bashota dhe Taibe Bashota si shitës me Xhemajl Xhemajlin si blerës, me të cilin i akuzuari e kishte shitur banesën e lartcekur dëshmitarit Xhemajl i cili në 2016 e kishte bartur pronësinë mbi veten”, tha Qavolli.

Ndërsa lidhur me veturën “BMW” të cilën Bashota nuk e ka deklaruar si pasuri të tij, prokurori tha se është vërtetuar që e njëjta i është shitur Bashotës nga Blerim Potera.

Ky i fundit është dënuar për deklarim të rremë në procedurë.

Sot gjatë ditës KALLXO.com ka raportuar për këtë çështje.

Prokurori shtoi edhe prova të tjera që e mbështesin aktakuzën.

Ai tha se nga faturat e rrymës shihet se pronar i orës elektrike ka qenë Bashota e po ashtu edhe nga historiati i tatimit shihet se tatimpagues ka qenë Bashota.

Prokurori tha se nëse mbështetemi në pretendimin se Bashota nuk është pronar i banesës atëherë pse duhet ai të ngarkohet me tatimin e saj.

Ndërsa për Berishën, prokurori deklaroi se certifikata e pronësisë vërteton se ai ishte pronar me 1/8 e ngastrës kadastrale të padeklaruar dhe se nga transaksionet vërtetohet se i akuzuari kishte bërë pagesën te shitësi dhe i njëjti ka qenë obligues tatimor.

“Organi i akuzës mbetet i habitur se si të akuzuarit nuk e pranuan fajësinë pas të gjitha këtyre provave dhe orvaten për të mbrojtur veten në heshtje”, shtoi prokurori.

Ndërsa në anën tjetër mbrojtësit e të akuzuarve kërkuan lirimin e Bashotës e Berishës.

Sipas tyre nuk ka prova që mbështesin aktakuzën e Prokurorisë.

Mbrojtësi i Sokol Bashotës, avokati Gëzim Kollqaku tha se banesa e deklaruar në AKK është e njëjta me atë që Bashota po akuzohet që nuk e ka deklaruar, ku sipas avokatit është e njëjta por tani matja bëhet ndryshe.

“Jam i vetëdijshëm se mbrojta do të thirret në atë se kinse i akuzuari e ka deklaruar banesën familjare në Prishtinë dhe kjo është për të ardhur çudi sepse është e vërtetë se e ka deklaruar ashtu por kjo banesë nuk është e njëjta të cilën e ka fshehur, ngase sipërfaqja e banesës është 79 m2 kurse këto që i ka deklaruar janë shumë me të mëdha mbi 100 metra”, tha lidhur me këtë çështje prokurori.

Sipas Qavollit është e pakuptimtë që e njëjta banese të deklarohet në vitin 2007 si 79 m2 e pastaj si 100 m2.

Ndërsa mbrojtësi i të akuzuarit Enver Berisha, avokati Gëzim Baloku tha se mbetet i habitur se si Prokuroria nuk ka hequr dorë nga ndjekja penale.

“Në vitin 2014 e kemi një provë të cilën prokurori e ka por nuk i ka konvenuar ta fusë në fjalën përfundimtare, kjo është kontrata mbi ndarjen e pasurisë së përbashkët familjare të përpiluar në vitin 2014.Me këtë kontratë vetëm ajo që e ka paraqitur në AKK”, tha Baloku.

Sot para Gjykatës u dëgjua edhe një dëshmitar, Murat Kuka, ndërsa munguan dëshmitarët Drilon Basha dhe Bejtush Zhugolli.

Prokurori i propozoi Gjykatës që me qëllim të informimit të publikut të lexohen deklaratat e këtyre dëshmitarëve, por që gjykatësja Sabrije Rraci nuk i lexoi vetëm i konstatoi si të lexuara.

Shpallja e vendimit për Bashotën e Berishën do të behet të premten.

Sipas aktakuzës, Sokol Bashota akuzohet se nuk i ka deklaruar fare veturën “BMW X5”, në vlerë prej 65 mijë euro dhe as banesën prej 79 metrash katrorë, në Prishtinë, edhe pse e ka pasur për detyrë ta bënte një gjë të tillë.

Bashota po ashtu akuzohet se nuk i ka deklaruar as veturën “Jeep” dhe as të ardhurat vjetore 3.000 euro në muaj nga qiraja e banesës.

Enver Berisha akuzohet se nuk e ka deklaruar në Agjencinë Kundër Korrupsion tokën me sipërfaqe prej 5,500 metrash katrorë.