Prokurori Jack Smith do ta hetoj ish-presidentin Donald Trump

Ish-kryeprokurori special i Zyrës së Prokurorit të Specializuara në Hagë, Jack Smith, është emëruar për të mbikëqyrur hetimet penale të departamentit të drejtësisë amerikane ndaj ish-presidentit Donald Trump.

Jack Smith, një ish-prokuror për krimet e luftës, u emërua këshilltar special nga Prokurori i Përgjithshëm Merrick Garland.

Siç raporton BBC, Ai do të udhëheqë hetimet mbi mënyrën se si Trump trajtoi dokumentet e klasifikuara dhe rolin e tij të supozuar në trazirat e Kapitolit.

Trump, i cili është subjekt i disa hetimeve të tjera, mohon çdo keqbërje.

Smith do të vendosë përfundimisht nëse ish-presidenti republikan, i cili shpalli kandidaturën e tij për vitin 2024 vetëm tre ditë më parë, do të përballet me akuza penale.

Jack Smith ishte kryeprokuror i Speciales kur në qershor të vitit 2020 u ngrit aktakuza për krime lufte ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi.

Në ato momente kur aktakuza u publikua, Thaçi ndodhej në aeroplan duke udhëtuar për në ShBA.

Alex Whiting zëvëndëson Jack Smith si ushtrues detyre i prokurorit të specializuar  në Zyrën e Prokurorit të Specializuar (ZPS).

Kryeprokurori Smith i cili dha dorëheqje, ishte i ngarkuar me hetimin dhe gjykimin e krimeve të pretenduara të luftës në Kosovë.