Prokurori ia përmend Thaçit në gjykatë faljen e dënimit për Shpresim Ukën dhe Bekim Sylën

Prokurori i Specializuar gjatë seancës së paraqitjes së parë të ish-Presidentit Hashim Thaçi ka përmendur faljen e dy të dënuarve për rastin “Bllaca”, një ditë para se të nisej për në Hagë.

Ai këto deklarata i bëri pasi avokati i ish Presidentit kërkoi lirimin e parakohshëm të tij.

Në lidhje me kërkesat e avokatit, prokurorët e specializuar deklaruan se mezi presin që t’i tregojnë arsyet se pse Presidenti Thaçi duhet të qëndrojë në paraburgim.

Sipas tyre, disa ditë para nisjes për në Hagë ish Presidenti fali dy persona të dënuar për vrasje në rastin “Bllaca”.

Një ditë para nisjes për në Hagë, ish Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi kishte falur një pjesë të dënimit për dy të dënuarit në rastin “Bllaca”, Shpresim Uka dhe Bekim Syla.

Uka dhe Syla u falën me dekret të ish Presidentit.

Shpresim Uka, i cili ishte dënuar me 15 vite burgim në rastin “Bllaca” u fal nga ish-Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi. Atij iu falën katër vite burgim.

Uka po vuante dënimin me burgim prej 15 viteve për pjesëmarrje në vrasjen e Ibush Kllokoqit dhe tentim vrasjen e ish-zëvendës kryeministrit të Kosovës Adem Salihaj.

Po ashtu, ish presidenti Thaçi ka falur edhe Bekim Sylën, i dënuar me 12 vite burg pashtu në rastin “Bllaca”. Atij i janë falur 3 vite e 6 muaj burg.

Hashim Thaçi ua fal burgun të dënuarve që Nazim Bllaca i lidhte me SHIK-un

Këto falje duket se mund t’i nxjerrin telashe ish Presidentit Thaçi në kërkesën për lirim të parakohshëm.

Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi e Jakup Krasniqi po mbahen në paraburgim në Hagë pasi ishin arrestuar gjatë javës së kaluar në Kosovë.

Ata u arrestuan pasi me 26 tetor 2020 ndaj tyre u konfirmuan akuzat për krime lufte e krime kundër njerëzimit.

Sipas kësaj aktakuze pjesëtarë të UÇK-së, gjatë marsit 1998 dhe shtatorit 1999 kishin kryer krime të luftës dhe krime kundër njerëzimit duke arrestuar dhe ndaluar persona civil në mënyrë të paligjshme, duke i trajtuar në mënyrë mizore, torturuar dhe zhdukur.

Në mesin e shumë akuzave bëjnë pjesë edhe ato të vrasjeve të paligjshme.

Për të gjitha këto krime të pretenduara, Prokurori Xhek Smith i ngarkon Hashim Thacin, Rexhep Selimin, Jakup Krasniqin e Kadri Veselin të cilët sipas tij ishin në dijeni se këto krime ishin duke ndodhur dhe nuk kishin ndërmarrë asnjë veprim për parandalimin e tyre mirëpo kishin nxitur kryerjen e tyre.

Në këtë aktakuzë thuhet se Thaçi dhe të tjerët nxitën sulmet ndaj kundërshtarëve dhe nxiten vrasjen e tyre.

Sipas prokurorisë krerët e UÇK-së përmes deklaratave publike dhe veprimeve në terren, frikësuan, denigruan, eliminuan kundërshtarë dhe kërkuan të pozicionoheshin si i vetmi zë dhe si i vetmi përfaqësues legjitimë i shqiptarëve të Kosovës

Vrasjet për të cilat ata po akuzohen Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi e Jakup Krasniqi

Pjesë e aktakuzës 68 faqeshe të Prokurorisë janë edhe pretendimet për vrasje të paligjshme.

Këto vrasje theksohet se janë kryer në territore të ndryshme të Kosovës dhe Shqipërisë. Sipas prokurorisë ato janë kryer në Likoc, Jabllanicë, Llapushnik, Drenoc, Malishevë, Bajgorë, Majac, Zllash, Kleҫkë, Kukës dhe Rahovec.

Në aktakuzë thuhet se një person gjatë vitit 1998 ishte mbajtur në kazermat e UÇK-së në Jabllanicë dhe ishte rrahur për vdekje nga pjesëtaret e UÇK-së.

Aktakuza pretendon se fatin e njëjtë e kishin pasur edhe dy viktima të tjera të cilat ishin dërguar në kazermën e UÇK-së në Jabllanicë.

Përpos vrasjeve në Jabllanicë në aktakuzë pretendohet se në fshatin Llapushinik ishte arrestuar një person nga pjesëtaret e UÇK-së ishte rrahur dhe ishte marrë në pyetje dhjetë natë rresht ndërsa në fund ishte vrarë.

Aktakuza tutje pretendon se pas një ofensive serbe, forcat e UÇK-së në Llapushink kishin arrestuar afërsisht 30 persona ku disa prej tyre më pas ishin lënë të lirë ndërsa të tjerët ishin qëlluar dhe vrarë.

Aty përshkruhet edhe për gjashtë vrasje të kryera në Drenoc. Sipas prokurorisë gjashtë burra ishin arrestuar, rrahur dhe vrarë dhe eshtrat e tyre nuk ishin parë më kurrë.

Pjesë e aktakuzës janë edhe akuzat për vrasjen e 11 civileve serb në Malishevë. Sipas aktakuzës në korrik të vitit 1998 një grup prej 11 të arrestuarish serbë u transferuan në një dhomë në bodrumin e një ndërtese në Malishevë. Aty përshkruhet se këta civil ishin rrahur dhe shqelmuar nga anëtarët e UÇK-së e më pas ishin qëlluar dhe vrarë.

Prokuroria e Specializuar në këtë aktakuzë nuk e ka lënë pa e përfshirë edhe qendrën e paraburgimit në Kleçkë.

Në këtë lokacion sipas prokurorit të specializuar gjashtë persona ishin dërguar dhe ishin rrahur për vdekje nga anëtaret e UÇK-së.

Një tjetër person sipas prokurorit të specializuar kishte vdekur si rezultat i keqtrajtimit në Kukës. Në këtë keqtrajtim thuhet se kishte marrë pjesë edhe Sabit Geci.

Tre persona të tjerë ishin arrestuar në Rahovec, ata sipas aktakuzës ishin rrëmbyer nga ushtarët e UÇK-së në shtëpitë e tyre ndërsa nuk ishin parë më kurrë.

Arsyeja se pse krerët e UÇK-së akuzohen për krimet dhe vrasjet e si përmendura sipas prokurorit të Specializuar është përgjegjësia komanduese.

Javën që lamë pas katër krerët e UÇK-së me urdhër të prokurorit ishin arrestuar dhe dërguar për në Hagë.