Prokurori i Specializuar pretendon se Rexhep Selimi ka ndikuar në një polic të Kosovës

Në urdhër-arrestin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit e Rexhep Selimit, Zyra e Prokurorit të Specializuar pretendon se Rexhep Selimi ka kontaktuar një polic pas një tentim vrasje që është bërë nga njerëz që kanë punuar me të.

Sipas Zyrës së Prokurorit të Specializuar, policit i është kërkuar që marrë provat të cilat mund të ishin përdorur në rastin e tentim vrasjes.

“Rexhep Selimi u rendit në listën e zezë nga Qeveria e Shteteve të Bashkuara për përfshirje të mundshme në pengimin e zbatimit të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit (Rezoluta e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për krijimin e UNMIK-ut) dhe është subjekt i sanksioneve të vendosura nga Thesari i Shteteve të Bashkuara. Për më tepër, individët të cilët kanë punuar për Rexhep Selimin ishin të implikuar në një përpjekje [REDAKTUAR] për të vrarë [REDAKTUAR]. Brenda një ore pas përpjekjes për vrasje, Selimi u përpoq të thërriste njërin nga të dyshuarit, dhe Selimi më pas kontaktoi një oficer të Policisë së Kosovës duke kërkuar që ai të rimarrë [REDAKTUAR] që dyshohet se është përdorur në atentat. Një hetues [REDAKTUAR] vuri në dukje se “është shqetësimi i madh që Rexhep Selimi mund të telefonojë një oficer të Policisë së Kosovës në çdo kohë dhe t’i kërkojë atij të shfrytëzojë pozicionin e tij për të rimarrë provat që mund të jenë përdorur në vepra penale””, thuhet në pikën 9 të urdhër-arrestit të redaktuar të Zyrës së Prokurorit të Specializuar.

Më 24 qershor, Zyra e Prokurorit të Specializuar ka njoftuar se ka ngritur aktakuzë ndaj tash ish-presidentit Hashim Thaçi dhe ish-kryeparlamentarit Kadri Veseli për krime kundër njerëzimit.

Sipas njoftimit në faqen zyrtare, më 24 prill 2020, Zyra e Prokurorit të Specializuar u paraqiti Dhomave të Specializuara të Kosovës një aktakuzë me dhjetë pika për shqyrtim prej Gjykatës, ku Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe të tjerë akuzohen për një sërë krimesh kundër njerëzimit dhe krimesh lufte ndër të cilat, vrasje e paligjshme, zhdukje e detyruar e personave, përndjekje dhe tortura.

Në Aktakuzë pretendohej se Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe të dyshuar të tjerë janë penalisht përgjegjës për afërsisht 100 vrasje të paligjshme. Krimet e paraqitura në aktakuzë përfshijnë qindra viktima të identifikuara shqiptarë, serbë dhe romë të Kosovës dhe kundërshtarë politikë. Por pikat e aktakuzës ende nuk ishin konfirmuar.

Më 4 nëntor, Zyra e Prokurorit të Specializuar përmes një komunikate për media ka njoftuar për arrestimin e ish-kryetari të Kuvendi të Kosovës, Jakup Krasniqit dhe transferimin e tij në objektin e paraburgimit në Hagë. Në të njëjtën ditë kur ishte arrestuar Krasniqi, shefi i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi e kishte dhënë lajmin për konfirmimin e aktakuzës ndaj tij.

Ditën e nesërme, më 5 nëntor, ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi përmes një konference për media njoftoi se i është konfirmuar aktakuza nga Dhomat e Specializuara të Kosovës, në të njëjtën ditë lajmin për konfirmimin e aktakuzës e kishte dhënë edhe ish-kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli.

Misioni i EULEX-it në Kosovë për orë të tëra kanë bastisur shtëpitë e Hashim Thaçit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit para se ata të niseshin për në Hagë.

Më 9 nëntor, në Dhomat e Specializuara në Hagë, e kanë pasur paraqitjen e parë ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, dhe ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi.

Para Dhomave të Specializuara, më 10 nëntor janë paraqitur edhe ish-kreu i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ndërsa, më 11 nëntor, deputeti i Kuvendit të Kosovës, Rexhep Selimi.

Krerët e UÇK-së bashkërisht akuzohen për krime të luftës, krime kundër njerëzimit, arrestime të kundërligjshme, trajtim mizor dhe vrasje.

Sipas kësaj aktakuze pjesëtarë të UÇK-së, gjatë marsit 1998 dhe shtatorit 1999 kishin kryer krime të luftës dhe krime kundër njerëzimit duke arrestuar dhe ndaluar persona civil në mënyrë të paligjshme, duke i trajtuar në mënyrë mizore, torturuar dhe zhdukur.

Në mesin e shumë akuzave bëjnë pjesë edhe ato të vrasjeve të paligjshme.

Për të gjitha këto krime të pretenduara, Prokurori Xhek Smith i ngarkon Hashim Thacin, Rexhep Selimin, Jakup Krasniqin e Kadri Veselin të cilët sipas tij ishin në dijeni se këto krime ishin duke ndodhur dhe nuk kishin ndërmarrë asnjë veprim për parandalimin e tyre mirëpo kishin nxitur kryerjen e tyre.

Në këtë aktakuzë thuhet se Thaçi dhe të tjerët nxitën sulmet ndaj kundërshtarëve dhe nxiten vrasjen e tyre.

Sipas prokurorisë krerët e UÇK-së përmes deklaratave publike dhe veprimeve në terren, frikësuan, denigruan, eliminuan kundërshtarë dhe kërkuan të pozicionoheshin si i vetmi zë dhe si i vetmi përfaqësues legjitimë i shqiptarëve të Kosovës.

Pjesë e aktakuzës 68 faqëshe të Prokurorisë janë edhe pretendimet për vrasje të paligjshme.

Këto vrasje theksohet se janë kryer në territore të ndryshme të Kosovës dhe Shqipërisë. Sipas prokurorisë ato janë kryer në Likoc, Jabllanicë, Llapushnik, Drenoc, Malishevë, Bajgorë, Majac, Zllash, Kleҫkë, Kukës dhe Rahovec.

Në aktakuzë thuhet se një person gjatë vitit 1998 ishte mbajtur në kazermat e UÇK-së në Jabllanicë dhe ishte rrahur për vdekje nga pjesëtaret e UÇK-së.

Aktakuza pretendon se fatin e njëjtë e kishin pasur edhe dy viktima të tjera të cilat ishin dërguar në kazermën e UÇK-së në Jabllanicë.

Përpos vrasjeve në Jabllanicë në aktakuzë pretendohet se në fshatin Llapushinik ishte arrestuar një person nga pjesëtaret e UÇK-së ishte rrahur dhe ishte marrë në pyetje dhjetë natë rresht ndërsa në fund ishte vrarë.

Aktakuza tutje pretendon se pas një ofensive serbe, forcat e UÇK-së në Llapushink kishin arrestuar afërsisht 30 persona ku disa prej tyre më pas ishin lënë të lirë ndërsa të tjerët ishin qëlluar dhe vrarë.

Aty përshkruhet edhe për gjashtë vrasje të kryera në Drenoc. Sipas prokurorisë gjashtë burra ishin arrestuar, rrahur dhe vrarë dhe eshtrat e tyre nuk ishin parë më kurrë.

Pjesë e aktakuzës janë edhe akuzat për vrasjen e 11 civileve serb në Malishevë. Sipas aktakuzës në korrik të vitit 1998 një grup prej 11 të arrestuarish serbë u transferuan në një dhomë në bodrumin e një ndërtese në Malishevë. Aty përshkruhet se këta civil ishin arrahur dhe shqelmuar nga anëtarët e UÇK-së e më pas ishin qëlluar dhe vrarë.

Prokuroria e Specializuar në këtë aktakuzë nuk e ka lënë pa e përfshirë edhe qendrën e paraburgimit në Kleçkë.

Në këtë lokacion sipas prokurorit të specializuar gjashtë persona ishin dërguar dhe ishin rrahur për vdekje nga anëtaret e UÇK-së.

Një tjetër person sipas prokurorit të specializuar kishte vdekur si rezultat i keqtrajtimit në Kukës. Në këtë keqtrajtim thuhet se kishte marrë pjesë edhe Sabit Geci.

Tre persona të tjerë ishin arrestuar në Rahovec, ata sipas aktakuzës ishin rrëmbyer nga ushtarët e UÇK-së në shtëpitë e tyre ndërsa nuk ishin parë më kurrë.

Arsyeja se pse krerët e UÇK-së akuzohen për krimet dhe vrasjet e si përmendura sipas prokurorit të Specializuar është përgjegjësia komanduese.