Prokurori i Specializuar kundërshton kërkesën e Kadri Veselit për lirim të përkohshëm

Zyra e Prokurorit të Specializuar ka kundërshtuar kërkesën e ish-kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, për lirim të përkohshëm.

Në një përgjigje prej 20 faqesh, Prokurori i Specializuar thotë se Veseli është i akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit dhe se për akuzat që rëndojnë ndaj tij parashihet si dënim i mundshëm edhe dënimi me burgim të përjetshëm.

Prokurori i Specializuar, Jack Smith, e ka konsideruar një rrezik mbrojtjen në liri, sidomos pasi Veseli të kuptojë më shumë për përmbajtjen e provave kundër tij.

“Për më tëper, Veseli është një nga zyrtarët më me përvojë të inteligjencës në Kosovës, shef i mëparshëm i shërbimit të inteligjencës së UÇK-së dhe Shërbimit Informativ të Kosovës (SHIK)”, thuhet në kundërshtim.

Tutje, Prokurori i Specializuar pretendon se kur kombinohet me statusin e tij si person publik, “është përtej diskutimit” që Veseli ka njohuri teknike dhe ka një rrjet për të ikur nga drejtësia.

“Lidhjet e Veselit me Kosovën nuk e ndryshojnë realitetin se Dhomat e Specializuara mund të kërkojë vetëm bashkëpunim të detyrueshëm për ta dorëzuar atë nga vetë Kosova, ose nga një vend i cili e njeh Kosovën dhe ka një marrëveshje ekstradimi me të”.

Gjithashtu, Prokuroria pretendon se Veseli mund të udhëtojë në mbi 180 shtete të botës dhe mund të vendoset në ndonjë të vendoset përgjithmonë diku, përtej mundësive të Dhomave të Specializuara.

Tutje, aty thuhet se paraqitja e Kadri Veselit në një intervistë në Gjykatën Speciale, sjellja e tij pasi i është paraqitur dyshimi si i akuzuar dhe letra e avokatit të tij, që ofron që Veseli të udhëtojë në Hagë, Prokurori i Specializuar konsideron se vështirë e mohojnë rrezikun e “ikjes”.

“Secili prej këtyre fakteve ishte në dispozicion të gjyqtarit të procedurës paraprake në kohën e vendimit të urdhër arrestit”.

Po ashtu, Prokurori i Specializuar thotë se Veseli tashmë e di plotësisht fushën e çështjes kundër tij, duke përfshirë të gjitha akuzat, viktimat, dëshmitarët dhe vendet e paraburgimit të zbuluara në materialet mbështetëse të aktakuzës.

Kurse thirrjet publike të Veselit për respektim të integritetit dhe procesit gjyqësor, Prokurori i Specializuar i ka konsideruar se janë bërë për shkak të synimit për të kërkuar lirim të përkohshëm.

“Thirrjet publike të Veselit për respektimin e integritetit të procesit gjyqësor pas dorëzimit të tij janë të mirëseardhura, por u bënë qartë vetëm për shkak të nevojës dhe synimit të Veselit, për të kërkuar lirim të përkohshëm”.

Përgjigjen e plotë të Prokurorisë në kërkesën për lirimin e përkohshëm të Veselit mund ta gjeni në gjuhën angleze KËTU.

Më 5 nëntor 2020, Kadri Veselit i ishte konfirmuar aktakuza e ngritur nga Gjykata Speciale për krime lufte.