Prokurori i Specializuar kërkon dënim me burgim për Salih Mustafën

Në Dhomat e Speiclizuara të Hagës, të martën prokurori i çështjes, Jack Smith ka filluar me deklaratën përmbyllëse në rastin e Salih Mustafës.

Smith ka pretenduar se në Zllash janë kryer rrahje, torura, ndalime dhe vrasje.

E për të gjitha këto Smith ka thënë se në krye të kompleksit të Zllashit ka qenë Salih Mustafa.

“I akuzuari mban përgjegjësi penale për vrasje dhe faktet nuk lënë asnjë pikë dyshimi se ai është fajtor sipas krimeve që është ngarkuar”-deklaroi prokurori.
Smith ka kërkuar që Mustafa të shpallet fajtor dhe të dënohet me dënim të lartë në burg.

“Duke u bazuar në dëshmitë e viktimave kërkoj që i akuzuari të shpallet fajtor e të dënohet sipas rekomandimeve të zyrës”- tha prokurori Jack Smith.

Salih Mustafa ishte arrestuar në shtator të vitit 2020 nga Policia e EULEX-it dhe që nga ajo datë ai po vazhdon të mbahet nën masën e paraburgimit.

Paraprakisht, Prokurori i Specializuar, Jack Smith në fjalën e tij përfundimtare ka pretenduar se i akuzuari Salih Mustafa është përgjegjës për krimet si në katër pikat të akuzës.

“Provat e paraqitura në gjykim provojnë se i akuzuari është përgjegjës për të gjitha krimet si në katër pikat e akuzës”-tha Smith.

Smith më tej ka folur edhe për dëshmitë e disa dëshmitarëve të cilët kanë rrëfyer se në Zllash ka pasur një objekt ndalimi ku janë torturuar.

“Viktima, i cili nuk i mbijetoi torturës në Zllash sa vjeç do të ishte tani?-Me siguri pak mbi 50 vjeç, por për këtë nuk kemi për ta ditur asnjëherë!Ne mund të spekulojmë por as familja e tij nuk ka për ta ditur asnjëherë për shkak të Salih Mustafës dhe njerëzve që komandonte, ata të cilët kanë torturuar dhe vrarë”-deklaroi mes tjerash prokurori Smith.

Smith ka folur edhe për viktimat të cilët janë etiketuar si “spiunë” ku janë burgosur, rrahur, torturuar e vrarë.

“Këtë etiketim e kanë bërë në mënyrë të rreme pasi të njëjtit ndoshta nuk e kanë mbështetur mjaftueshëm UÇK-në, ndoshta kanë favorizuar LDK dhe jo UÇK, ndoshta kanë menduar se Ibrahim Rugova dhe jo Hashim Thaçi është personi më i miri për të drejtuar Kosovën e për këtë janë burgosur, janë rrahur, janë torturuar, në raste janë vrarë”-deklaroi prokurori.

Tutje në gjykim është paraqitur edhe shtëpia-objekti në Zllash ku Prokuroria Speciale pretendon se janë kryer torturat, rrahjet, burgosjet dhe vrasjet.
Smith ka folur për disa viktima përfshirë këtu një person të ri i cili ishte vrarë.

“Mustafa ka pasur përgjegjësi për këtë vrasje dhe se viktima është dërguar në Zllash me 1 prill 1999, ky kompleks është kontrolluar nga njësiti BIA”-shtoi Smith.
Smith ka folur edhe për torturat e tjera ku njëri dëshmitar në këtë gjykim ka dëshmuar se është rrahur nga gjashtë persona.

“Është sjellë në ahur, pasi e kanë torturuar…kishte njolla dhe shenja në trup dhe nuk rrinte në këmbë nga të rrahurat, dhe se i njëjti ishte nxirrë nga të rrahurat, ishte i mavijosur, i nxirr në të gjitha pjesët e trupit dhe nuk ishte në gjendje t’i hapte sytë”-tha Smith në fjalën përfundimtare.

Vendi-shtëpia në fshatin Zllash, ku Prokuroria pretendon se janë kryer rrahje, tortura, burgime dhe vrasje
Foto: Gjykata Speciale

Arrestimi i Salih Mustafës u bë pas konfirmimit të aktakuzës së ngritur nga Zyra e Prokurorit të specializuar.

Ish-komandant “Cali” akuzohet për vrasje, torturë dhe trajtim çnjerëzor.

Sipas aktakuzës në prill të vitit 1999 Mustafa së bashku me pjesëtaret e tjerë të UÇK-së, ushtarët me pseudonimet ‘Tabuti’, ‘Ilmi Vela’, ‘Bimi’, ‘Dardani’, ‘Afrimi’, u hoqën lirinë së paku gjashtë personave pa proces ligjor të rregullt në kompleksin e ndalimit në Zllash të cilët më pas u mbajtën të ruajtur me rojë, ndër të tjera në një stallë të kyçur, dhe iu nënshtruan akteve të trajtimit mizor dhe të torturës.

Sipas prokurorisë ai bashkë me pjesëtaret e tjerë u kishin shkaktuar viktimave vuajtje dhe dhimbje shumë të rënda me synim që të merrnin informata ose deklarata.

Aktakuza ngarkon Mustafën edhe për vrasjen e njërit prej 6 personave të ndaluar.

Sipas kësaj pike të aktakuzës, i akuzuari Salih Mustafa, ishte prezent në kompleksin e ndërtesave të Zllashit, kur pjesëtarët e UÇK-së e kishin sjellë personin tani të vrarë dhe e kishin shënjestruar duke e rrahur.

Në lidhje me këto akuza në paraqitjen e parë të tij Salih Mustafa nuk e kishte pranuar fajësinë.

Të gjitha raportimet e KALLXO.com lidhur me këtë proces gjyqësor mund t’i lexoni duke klikuar në LINK.