Prokurori i Shtetit tregon numrin e personave të ndaluar në ditën e zgjedhjeve

Zyra e Prokurorit të Shtetit ka bërë të ditur se gjatë 24 orëve të fundit nga prokuroritë themelore në Kosovë, janë ndaluar 20 persona, si dhe janë bërë tri kërkesa për caktimin e paraburgimit të tre personave, të dyshuar për vepra të ndryshme penale.

Në këto të dhëna janë të përfshira edhe disa raste gjatë zgjedhjeve të djeshme që janë mbajtur në Kosovë.

Sipas njoftimit, Prokuroria Themelore në Pejë, gjatë 24 orëve të fundit ka  ndaluar dy persona të dyshuar për veprën penale  “Keqpërdorimi i të drejtës se votimit”.

“Të dyshuarit  me aktvendim të prokurorit të shtetit  janë  dërguar në ndalim 48 orësh”, thuhet në raport.

Në anën tjetër, Prokuroria Themelore në Mitrovicë,  ka ndaluar tre persona për shkak të veprës penale “Keqpërdorim i detyrës zyrtare gjatë zgjedhjeve“, tre persona të tjerë për shkak të veprave penale “Pengimi i procesit të votimit”.

Kurse, gjatë së njëjtës periudhë kohore, Departamenti për Krime të Rënda i Prokurorisë Themelore në  Gjilan e ka ndaluar një person në kohëzgjatje prej 48 orësh, me dyshimin se në fshatin Pozheran, komuna e Vitisë, ka kryer veprën penale ‘’Parandalimi i ushtrimit të së drejtës për të votuar’’.

E njëjta masë është shqiptuar edhe ndaj një personi tjetër nga ana e Prokurorisë Themelore në Gjakovë.

Sipas njoftimit, i dyshuari është ndaluar në kohëzgjatje 48 orë, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprat penale “Parandalimi i ushtrimit të së drejtës për të votuar”, dhe “Armëmbajtje pa leje”,

Po ashtu, Departamenti i Përgjithshëm i kësaj prokurorie e ka ndaluar një person në kohëzgjatje prej 48 orësh, për shkak të  dyshimit të bazuar se ka kryer veprat penale “Cenimi i fshehtësisë së votës” dhe “Asgjësimi i dokumenteve të votimit”,

Ndërkaq, Departamenti për Krime të Rënda i Prokurorisë Themelore në Mitrovicë,  ka ndaluar tre persona për keqpërdorim i detyrës zyrtare gjatë zgjedhjeve dhe tre të tjerë për shkak të pengimit të  procesit të votimit.