
Prokurori i Shtetit ndalon 8 persona për veprat penale kundër të drejtave të votimit
Prokurori i Shtetit ka njoftuar se gjatë ditës së sotme ka ndaluar tetë persona të dyshuar për veprat penale kundër të drejtave të votimit.
Në një njoftim për media Prokurori i Shtetit bëri të ditur se gjatë ditës së sotme ka pranuar disa informata dhe pas verifikimit të tyre deri në mbyllje të procesit të votimit, janë hapur katër raste, kundër tetë personave, kurse informatat tjera janë duke u trajtuar.
Sipas njoftimit, Prokuroria Themelore në Mitrovicë pas informatave të pranuara nga qytetarët, ka iniciuar dy raste të ndryshme që ndërlidhen me veprat penale kundër të drejtave të votimit.
Në rastin e parë ka ndaluar katër persona, për shkak të dyshimit të bazuar se të njëjtit me veprimet e tyre kanë kryer veprën penale: “Cenimi i përcaktimit të lirë të votuesve”, nga neni 210 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Ndërkaq, në rastin e dytë ka ndaluar një person, për shkak të dyshimit të bazuar se i njëjti me veprimet e tij ka kryer veprën penale: “Cenimi i përcaktimit të lirë të votuesve”, nga neni 210 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Prokuroria Themelore në Prishtinë, ka iniciuar dy raste të ndryshme që ndërlidhen me veprat penale kundër të drejtave të votimit.
Në rastin e parë ka ndaluar një person, për shkak të dyshimit të bazuar se i njëjti me veprimet e tij ka kryer veprën penale: “Sulm ndaj personit zyrtar”, nga neni 402 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Ndërkaq, në rastin e dytë ka ndaluar dy persona, për shkak të dyshimit të bazuar se të njëjtit me veprimet e tyre kanë kryer veprën penale: “Parandalimi i ushtrimit të së drejtës për të votuar”, nga neni 209 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Prokurorët e shtetit do të vazhdojnë të kujdestarojnë edhe gjatë numërimit të votave në vendvotime deri në dërgimin e tyre në qendrat komunale, thuhet në njoftim.
Prokurori i Shtetit i ka falënderuar qytetarët e Republikës së Kosovës, mediat dhe shoqërinë civile për bashkëpunimin e treguar me Prokurorin e Shtetit me qëllim parandalimin dhe ndjekjen e suksesshme të veprave penale lidhur me këto zgjedhje.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka nisur publikimin e rezultateve preliminare të zgjedhjeve parlamentare të së dielës 09.02.2025.
Fillon publikimi i rezultateve preliminare për zgjedhjet në Kosovë