Prokurori i pezulluar nga KPK është ai që trajtoi rastin e policit të dyshuar për keqatrajtim të qytetarit

Prokurori Eset Rama është pezulluar nga detyra me vendim të Këshillit Prokurorial të Kosovës.

KALLXO.com ka mësuar nga burime brenda KPK se bëhet fjalë për prokurorin Eset Rama, i cili hetoi rastin e policit të Njësisë së Reagimit të Shpejtë, H.K., ky i fundit i dyshuar për keqtrajtim gjatë detyrës zyrtare.

Prokurori Rama pas dhënies së urdhrit për arrestimin e policit H.K. e kishte liruar të njëjtin pas 24 oëve.

Kjo kishte ndikuar më pas në viktimën, L.R., i cili kishte raportuar në IPK se kishte pranuar disa telefonata anonime për të tërhequr dëshminë që kishte dhënë ndaj zyrtarit policor i cili dyshohej se kishte ushtruar dhunë fizike tri vite më parë ndaj viktimës brenda stacionit policor Qendra në Prishtinë.

Polici H.K. ishte arrestuar dy herë brenda 48 orëve, njëherë për keqtrajtim gjatë kryerjes së detyrës zyrtare dhe vepra tjetër pengim i të privuarit.

KALLXO.com në lidhje me pezullimin nga puna ka tentuar të marrë edhe një deklaratë nga prokurori Rama.

I njëjti nuk ka komentuar pezullimin e tij. Rama ka qenë edhe zëvendësiministër i Drejtësisë në Qeverinë Haradinaj.

KALLXO.com raportoi vazhdimisht në lidhje me rastin.