Prokurori bullgar për aksidentin tragjik: Nuk ka pasur shpërthim, dhe s'ka as dëshmitarë

Prokurori bullgar, Borislav Sarafov ka deklaruar se sheh shumë spekulime përfshi edhe atë me çështjen e dëshmitarëve okularë.

Por sipas tij nuk ka asnjë dëshmitar okular të ngjarjes.

“Fillimisht janë marrë në pyetje dy nga pasagjerët e autobusit, të cilët ishin zgjuar në momentin e aksidentit. Të dy japin informacion objektiv, shqyrtohen individualisht dhe deklaratat e tyre përputhen, prandaj ne i konsiderojmë ato si jashtëzakonisht të sakta. Dy të tjerë që janë në spital sot do të merren në pyetje”, tha Sarafov.

Sarafov, në konferencën e parë për shtyp tha se informacionet fillestare tregojnë se ndoshta ka qenë një gabim njerëzor që është shkaktuar nga shenjat e papërshtatshme në autostradë.

“Bankina në të cilën është përplasur autobusi, jo vetëm që është e panevojshme, por edhe e rrezikshme. Nuk ka pasur shpërthim, por ajo që kanë dëgjuar ata që kanë qenë aty pranë është përplasja, përplasja e fortë e autobusit në trotuarin në anën e djathtë, që thashë se nuk e ka vendin aty. Nuk ka pasur shpërthim”, tha Sarafov./AlsatM