Prokurori autorizon lirimin e personit që dyshohet se në dasmën e djalit gjuajti me "Kallashnikov" dhe pistoletë
Thirrjet e vazhdueshme të forcave të rendit kundër gjuajtjeve me armë në ahengje e rastet e shumta, edhe tragjike, të raportuara ndër vite, nuk i kanë lënë përshtypje një prokurori të Prizrenit.
I njëjti prokuror, Labinot Jetishi, kishte vendosur ta dërgonte një të dyshuar për të shtëna me armë në aheng familjar në ndalim 48-orësh, por më pas ia ka ndërprerë masën e ndalimit.
H.G. u arrestua nga Policia nën dyshimin se në dasmën e djalit të tij, shtiu, ndër të tjera edhe me “Kallashnikov”, duke u rrezikuar jetën personave që ishin prezentë në aheng.
E pasi e kishte intervistuar dhe i dyshuari ishte bërë pishman për veprimin e tij, prokurori Labinot Jetishi kishte autorizuar policinë e stacionit në Suharekë që ta lirojë nga ndalimi të dyshuarin.
Sipas Policisë, rasti i dyshuar i gjuajtjes me armë ka ndodhur më 31.07.2024, rreth orës 23:10, në Peqan të Suharekës.
“Drejtoria rajonale e Policisë në Prizren, Stacioni Policor Suharekë me datën 31.07.2024, rreth orës 23:10 përmes rrugëve operative kanë marre informatën se ne fshatin Peqan të Suharekës, në një gazmend familjar ka të shtëna me armë zjarri. Patrulla policore me urgjencë ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka lokalizuar të dyshuarin H G (viti i lindjes 1961), mashkull, kosovar shqiptar, tek i cili janë gjetur dhe sekuestruar ne cilësinë e provave materiale dy armë, një AK 47 dhe nje pistoletë”-thuhet në njoftimin e Policisë të datës 01.08.2024.
Rasti ishte iniciuar si shkaktim i rrezikut të përgjithshëm dhe armëmbajtje pa leje.
Por sot me anë të një vendimi, të cilin e ka siguruar KALLXO.com, prokurori Jetishi ka vlerësuar se për shkak të pendesës së të dyshuarit kanë pushuar arsyet e mbajtjes së ndalimit.
“Prokurori i çështjes pas pranimit të kallëzimit penal, pasi i dyshuari ka sqaruar se si ka ndodhur rasti duke shprehur pendimin për veprimet e tij duke shtuar se e gjithë kjo ka qenë nga gëzimi dhe emocionet e pasi marton djalin e tij, dhe nga gëzimi dhe atmosfera ka shtënë disa herë me dy armë të zjarrit”- thuhet në dokumentin që ka siguruar KALLXO.com.
I dyshuari, gjithashtu, ka premtuar se një veprim të ngjashëm nuk do ta përsërisë më.
“Andaj prokurori ka ardhur në përfundim se kanë pushuar arsyet për qëndrimin të mëtutjeshëm në ndalim të të pandehurit të lartcekur”- thuhet në dosje.