Prokurorët e Speciales intervistojnë Sokol Bashotën dhe Naim Malokun

Zëvendëskomandanti i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Sokol Bashota dhe ish-eprori i UÇK-së, Naim Maloku, do të intervistohen nga prokurorët e Gjykatës Speciale.

Bashota intervistohet sot në Holandë, derisa Maloku ka bërë të ditur se do të intervistohet në Lubjanë për shkak të gjendjes së tij shëndetësore.

Në një njoftim në Facebook thuhet se Sokol Bashota do merret në pyetje për tri orë.

Ai tani ndodhet në Holandë bashkë me avokatin e tij Taulant Hodaj.

Ndërsa ish-eprori i UÇK-së, Naim Maloku ka njoftuar përmes një postimi në Facebook se nesër dhe pasnesër, më 17 dhe 18 shtator, do të intervistohet nga Gjykata Speciale.

Megjithatë, Maloku për shkak të gjendjes shëndetësore tha se intervistimin do ta bëjë në Gjykatën e Qarkut në Lubjanë të Sllovenisë.

Ai ka shtuar se me gjykatën do të përballet pa avokat mbrojtës.

“Për shkak te gjendjes sime, te renduar, shëndetësore dhe pamundësisë që të udhëtoj për në Hagë, intervistimi do të kryhet në ambientet e Gjykatës së Qarkut në Lubjanë. Me Gjykatën në fjalë do të përballem i vetëm dhe pa avokat. Tërë jetën, me mundësitë, dijen dhe aftësitë e mia profesionale dhe pa kurrfarë interesi personal, jam munduar të jem në shërbim dhe në të mirë të Atdheut. I tille jam dhe do te mbetem!”, ka shkruar tutje Maloku.

Në Hagë këto ditë do të intervistohen edhe Time Kadrijaj dhe Safete Hadërgjonaj.