Prokurimi publik me sistem të ri për menaxhimin e ankesave të kompanive që marrin pjesë në tenderë

Organi Shqyrtues i Prokurimit (OSHP) këtë javë do të prezantojë një sistem të ri për menaxhimin e ankesave të operatorëve ekonomikë, të cilët marrin pjesë në tenderët e institucioneve publike.

Përmes një komunikate për media, OSHP-ja ka bërë të ditur se me Sistemin e ri të Menaxhimit të Lëndëve (SML), synohet që të gjitha vendimet e prokurimit nga një organ publik të jenë më transparente, efikase dhe llogaridhënëse.

Më tutje thuhet se ky sistem do ta lehtësojë dhe fuqizojë procesin e ankesave, duke i mundësuar OSHP-së që t’i menaxhojë ankesat e operatorëve në mënyrë më efektike, duke përzgjedhur në mënyrë të rastësishme ekspertët shqyrtues dhe anëtarët e panelit.

“Jemi shumë të kënaqur me lansimin e SML-së. Ky modul i ri në sistemin e prokurimit elektronik të Kosovës do t’i ndihmojë institucionet e Kosovës ta përmirësojnë punën e tyre dhe është një hap i rëndësishëm në evoluimin e prokurimit publik të Kosovës” – citohet të ketë thënë Vjosa Gradinaj Mexhuani, kryetare e OSHP-së.

Po ashtu, bëhet e ditur se SML do ta llogaris vet afatin për dorëzimin e ankesave sipas Ligjit për Prokurim Publik dhe do t’ua rikujtojë ekspertëve dhe anëtarëve të panelit shqyrtues afatet e ardhshme.

“Përveç kësaj, SML do t’i zvogëlojë gabimet faktike në vendimet e OSHP-së duke i plotësuar automatikisht informacionet që kanë të bëjnë me tenderët e publikuar nga sistemi i prokurimit elektronik të Kosovës” – thuhet në njoftim.

SML është zhvilluar si pjesë e Projektit për Forcimin e Prokurimit Publik në Kosovë (FPPK), që financohet nga Ambasada Britanike në Prishtinë dhe zbatohet nga DAI Global UK. Projekti FPPK do të vazhdojë ta mbështesë OSHP-në gjatë vitit 2023 për ta rritur transparencën, efikasitetin dhe besueshmërinë në procesin e vendimmarrjes.