Projektligji për qeverinë, ndryshimet që pësoi në Komisionin për Administratë Publike

Komisioni për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Medie dhe Zhvillim Rajonal ka miratuar 10 amendamente shtesë për Projektligjin për Qeverinë e Republikës së Kosovës.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) Besim Muzaqi i cili është edhe kryetar i grupit punues të këtij projektligji kërkoi që komisioni t`i votojë 11 amendamentet e propozuara.

“Grupi ka mbajtë dy mbledhje dhe një punëtori gjithë ditore, grupi ka shqyrtuar projektligjin dhe ka hartuar 11 amendamente për tia propozuar komisionit. Kërkojmë që të hartohen amendamentet dhe të dërgohen në Kuvend në seancë plenare” , tha ai.

Besnik Tahiri deputet i Aleancës për Ardhmërinë (AAK) propozoi të mos largohet paragrafi 3 i nenit 24, i cili ishte paraparë në amendamentin 10 të grupit punues.

“Mendoj që është një ligj j rëndësishëm. Tek neni 24, amendamenti ky është një nen i rëndësishëm i cili lidhet me llogaridhënien e qeverisë si organ i drejtpërdrejtë që do te duhej ti përgjigjej pyetjeve kërkesave”, tha ai.

Sipas tij, ky nen i detyron zyrtaret që të japin përgjigje në kërkesat zyrtarë.

“Kur flasim për përgjigje nuk po flasim për nivelin politik, por jemi duke fol për një numër të drejtorëve të cilat me këtë nen detyrohen me u përgjigj. Ne bëjmë ligj për me rregullu diçka, e jo me lënë në hava”, tha ai.

Neni 24 i projektligjit për qeverinë, rregullon përgjigjet ndaj çështjeve që i adresohen Qeverisë.

Ndërsa paragrafi 3 i këtij neni përcakton që përgjigjet pyetjeve, nismave, propozimeve, peticioneve, ankesave që i adresohen Kryeministrit në bashkëpunim me ministritë përgjegjëse, apo kërkon nga ministria përkatëse të jepen në afat prej 30 ditëve.

Kryetari i grupit punues, Besim Muzaqi kërkoi që ky paragraf të hiqet.

“Mendoj paragrafi 3 i nenit 24 duhet të hiqet dhe ky është qëndrim i grupit punues”, tha ai.

Kryesuesja e komisionit, deputetja Doarsa Kica- Xhelili kërkoi që të kthehet paragrafi 3, propozim i cili mori 8 vota të anëtarëve të komisionit dhe një abstenim.

Më 15 shkurt, në lexim të parë ky komision i ka dhënë dritën e gjelbër këtij projektligji.

Në fund të dhjetorit, Qeveria Kurti ka miratuar projektligjin për qeverinë.

Ky projektligj pritet të rregullojë organizimin dhe funksionimin e Qeverisë së Kosovës, mënyrën e punës dhe procedurat e vendimmarrjes në Qeveri.

Projektligji që mbanë ‘mister’ numrin e ministrive