Zjarrfikësit. Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Projektligji për pagat, rreshteri i FSK-së dhe zjarrfikësi pagën e njëjtë, kurse rreshteri i policisë më të ulët

Paga e një zjarrfikësi në Kosovë pritet të jetë e njëjtë me atë të rreshterit në Forcën e Sigurisë së Kosovës.

Për rreshterët e FSK-së dhe zjarrfikësit në Kosovë, sipas projektligjit të ri për paga është përcaktuar koeficienti 5.2.

Ndërsa rreshteri në Policinë e Kosovës pritet te këtë pagë më të ulët, sepse për ta është paraparë koeficienti 4.8.

Komandanti i zjarrfikësve pritet të këtë 2 koeficient më shumë sesa zjarrfikësi.

Komandanti i zjarrfikëseve, Inspektori në Inspektoratin Policor të Kosovës dhe hetuesi në Inspektoratin Policor të Kosovës kanë koeficientin 7.2, pra pritet që ta kenë edhe pagën e njëjtë.

Mirëpo në këtë projektligjin e ri nuk janë parë ndarje të koeficienteve për gradat e tjera në kuadër të zjarrfikësve.

Muharrem Beka, kryetar i Sindikatës së Zjarrfikësve të Kosovës, në një përgjigje për KALLXO.com, ka thënë se nuk kanë pakënaqësi për koeficientin e paraparë për zjarrfikësit, por që sipas tij duhet të jenë të specifikuara gradat ashtu siç janë në institucionet e tjera të sigurisë.

“Ne të vetmin problem e kemi tek struktura sepse atje në ligj është vetëm zjarrfikës dhe komandat, nuk janë të specifikuar koeficientet për pozitat e tjera, sepse nuk janë të gjithë zjarrfikës. Kemi udhëheqës të togut, zëvendës-udhëheqës të togut, zëvendës-udhëheqës batalioni deri tek komandanti”, ka shtuar ai.

Beka ka thënë se janë duke pritur një takim në Ministrinë e Punëve të Brendshme për t’i dhënë sugjerimet për këtë.

“Do t’i bëjmë vërejtët që të sistemohen edhe pozitat e tjera sipas udhëzimit administrativ që është për strukturën, prej komandantit deri tek zjarrfikësi i ri ose praktikant”, tha ai.

Për institucionin e Forcës dhe Sigurisë së Kosovës si dhe për Policinë e Kosovës në projektligjin e ri janë paraparë koeficientet sipas gradave.

Koeficientin më të lartë, 14.5,  në Forcën e Sigurisë së Kosovës e ka grada gjenerallejtënant, ndërsa në Policinë e Kosovës Drejtori i Përgjithshëm me koeficient 14.

Paga më të larta sesa gjenerallejtënant dhe gjeneral-major i cili ka koeficientin 14.2, pritet të kenë drejtuesit e departamenteve në fushën e navigimit ajror.

Gjeneral majori në FSK ka koeficientin 14.2  që është koeficient më i vogël sesa ai i drejtuesit të lartë në fushën e aviacionit civil dhe navigimit ajror, i cili ka koeficientin 15.

Edhe një drejtues i mesëm që udhëheq një departament funksional apo operativ në fushën e aviacionit civil dhe navigimit ajror e ka koeficientin 15.5, pra më të lartë se gjeneral-majori i FSK-së.

Sipas projektligjit, drejtuesi i ulët që udhëheq divizion funksional në fushën e aviacionit civil dhe navigimit ajror, e ka koeficientin 15.

Gjeneral brigade në FSK ka koeficientin 13, ndërsa zëvendësdrejtori i përgjithshëm i policisë ka koeficientin 12.6.

Koloneli në FSK e ka koeficientin 12, kurse në polici koloneli ka koeficientin 9.8.

Nënkoloneli i FSK-së dhe drejtori i departamentit në polici kanë koeficientin 11, ndërsa grada e nënkolonelit në Policinë  e Kosovës ka koeficientin 8.5.

Majori në Forcën e Sigurisë së Kosovës ka koeficientin 10, ndërsa majori në Policinë e Kosovës ka koeficientin 8.

Ushtari i klasit të parë dhe polici kanë koeficientin 4.2 ndërsa polici i ri dhe ushtari kanë koeficientin 4.

Kadeti policor dhe kadeti i FSK-së llogariten si gradat më të ulëta në këto institucione të sigurisë, dhe kanë koeficientin 2.

Në projektligjin e ri për paga nuk është caktuar vlera e koeficientit.

KALLXO.com për këtë çështje ka kërkuar sqarime edhe nga ana e Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike.

Deri në publikim të këtij shkrimi, kjo ministri nuk ka dhënë përgjigje për vlerën e caktuar të koeficientit por as edhe kush ka qenë në grupin punues të këtij drafti të projektligjit të ri për pagat në sektorin publik.

Projektligji e ri nuk e përcakton vlerën e koeficientit për vitin e parë të zbatimit të këtij ligji.

Ndërsa, për vitet e tjera buxhetore, vlera monetare e koeficientitthuhet se do të përcaktohet me Ligjin për buxhetin.

Në lidhje me këtë projektligj, ka reaguar ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla i cili i ka quajtur deziformata raportimet e media, pasi që sipas tij nuk ka draft final.

“As nuk ka draft final të ligjit për pagat e zyrtarëve publik e as nuk ka ndonjë vlerë të koeficientit. Vlera e koeficientit nuk do të jetë pjesë e ligjit për pagat e zyrtarëve publik, meqë e njëjta përcaktohet me ligjin e buxhetit”, kishte shkruar ai në Facebook.

Më 30 qershor të vitit 2020, Gjykata Kushtetuese e Kosovës e ka shpallur të pavlefshëm Ligjin për Pagat në Sektorin Publik.

Sipas vendimit të Gjykatës, ligji nuk ishte në përputhshmëri me 11 nene të Kushtetutës së Kosovës dhe shkaktonte “çrregullim të ndarjes së pushteteve në disfavor të gjyqësorit dhe institucioneve të pavarura”.

Ky projektligj ishte dërguar në kushtetuese më 6 dhjetor të vitit 2019 nga institucioni i Avokatit të Popullit, për siç thuhej “vlerësimin e përputhshmërisë” së këtij ligji me Kushtetutën.

Gjykata Kushtetuese kishte vendosur që të pezullohet zbatimi i këtij ligji, deri më 30 mars 2020.Me pastaj, Gjykata kishte vendosur ta vazhdojë pezullimin e Ligjit të pagave deri më 30 qershor 2020 dhe përfundimisht më 30 qershor e kishte shpallur të pavlefshëm.

Koeficienti më i lartë sipas këtij ligji ka qenë 10. Këtë koeficient e mbante vetëm presidenti i vendit, më pas është niveli i 9, ku bënin pjesë kryetari i kuvendit, kryeministri dhe kryetari i Gjykatës Kushtetuese.

Ndërsa në projektligjin e ri koeficientët janë deri në 20.

Projektligji i ri për paga ende nuk ka shkuar për miratim në Qeverinë e Kosovës.