Foto: Denis Sllovinja/KALLXO.com

Projektligji për Pagat nesër përfundon fazën e konsultimeve paraprake

Projektligji për Pagat në sektorin publik, i cili ka nxitur reagime muajve të fundit, do të përfundojë nesër fazën e konsultimeve paraprake.

Pas përfundimit të kësaj faze, projektligji do të lansohet në platformën e konsultimeve publike ku palët e interesit mund të japin komente për të.

Këtë e kanë konfirmuar për KALLXO.com nga Ministria e Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike.

“Projektligji për Pagat në sektorin publik është proceduar në konsultime paraprake me datë 17 gusht 2022. Këto konsultime zgjasin pesëmbëdhjetë (15) ditë kalendarike, deri me 7 shtator 2022. Pas përfundimit të konsultimeve paraprake, sipas legjislacionit në fuqi, Projekt Ligji do të lansohet në platformën e konsultimeve publike”- thuhet në përgjigjen e MPB-së për KALLXO.com.

Në konsultimin publik të projektligjit mund të marrin pjesë të gjitha palët e interesuara përfshirë organizatat e shoqërisë civile, por edhe qytetarë të thjeshtë.

Ndonëse nuk jepen detaje shtesë për datën kur do të përfundojë faza e konsultimeve publike, në përgjigjen e MBP-së thuhet se “pas përfundimit të këtyre procedurave, Projektligji do të dërgohet në Qeveri për shqyrtim dhe votim”.

Ministria e Punëve të Brendshme e ka proceduar projektligjin për paga në konsultime paraprake më 17 gusht, qëllimi i të cilit është përcaktimi dhe rregullimi i sistemit të pagave dhe shpërblimeve për të gjithë të punësuarit që përfitojnë pagë nga buxheti i Republikës së Kosovës.

Projektligji duhet të kalojë procedurat e konsultimeve paraprake dhe publike, si dhe pas miratimit në Qeveri e Kuvend, do të publikohet në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës.

Në anën tjetër, Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK) nga 25 gushti ka nisur grevën e përgjithshme në sektorin publik në vend.

Njëra nga kërkesat e sindikalistëve është rritja e pagës prej 100 euro për të gjithë të punësuarit derisa të miratohet e zbatohet Ligji për Paga.

Udhëheqësi i sindikalistëve, Atdhe Hykolli në një konferencë për media kishte thënë se greva iu ka mbetur si zgjidhja e vetme pasi që, sipas tij, Qeveria nuk i ka përfillur kërkesat për dialog.

“BSPK i përdori të gjitha mjetet dhe rrugët të organizimit sindikal drejt kërkesave të arsyeshme të të punësuarve, por nuk ia dolëm të ulemi në tavolinën e dialogut social me partnerin tonë social – Qeverinë” – kishte thënë Hykolli.

Pjesë e grevës që ka filluar me 25 gusht janë edhe Sindikata e Bashkuar për Arsim, Shkencë dhe Kulturë (SBASHK).

Kryeministri i vendit, Albin Kurti ka thënë se projektligji i ri për pagat, mësimdhënësit i trajton shumë më mirë sesa janë trajtuar deri më tani.

“Ligji i pagave ndodhet në diskutim paraprak dhe pas një jave do të jetë edhe në diskutim publik, koeficienti për mësimdhënësit është ma i mirë sesa kurdoherë në të kaluarën, ne kemi parasysh për mësimdhënësit tanë edhe përgjegjësitë menaxherial dhe do t`i vlerësojmë sipas përfomancës së tyre por gjithashtu sipas përgatitjes profesionale”- tha ai.

Gjatë muajit të shkurt në publik doli drafti i projektligjit fillestar, në të cilin parashiheshin koeficientet e pagave në institucionet publike, por jo edhe vlera e koeficientit.

Zyrtarisht ende nuk dihet sa është koeficienti.

Projektligji i Pagave në Sektorin Publik nuk u miratua në Kuvend gjatë muajit mars.

Më 30 qershor të vitit 2020, Gjykata Kushtetuese e Kosovës e kishte shpallur të pavlefshëm Ligjin për Pagat në Sektorin Publik.

Sipas vendimit, ligji nuk ishte në përputhshmëri me 11 nene të Kushtetutës së Kosovës.

Më 6 dhjetor 2019, Ligjin për Paga në Gjykatën Kushtetuese e kishte dërguar Avokati i Popullit për vlerësimin e përputhshmërisë së tij me Kushtetutën. Ligji për paga ishte miratuar në muajin shkurt të atij viti.

Ligji ishte miratuar nga Qeveria e Kosovës, e cila drejtohej nga Ramush Haradinaj.