Kuvendi i Kosovës - Arkiv

Projektligji për Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit, kalon në lexim të parë

Kuvendi i Kosovës e ka miratuar në parim Projektligjin për Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, tha se përveç mandatit parandalues të agjencionit, po ashtu me këtë projektligji rregullohen procedurat lidhur me zbatimin e ligjit për konfliktin e interesit në ushtrimin funksionit publik, ligjit për deklarimin e pasurisë dhe prejardhjen, kontrollin dhe atë të dhuratave në të cilin janë duke bërë ndryshime substanciale.

Haxhiu tha se pasi t’i kenë të finalizuar ato do ta sjellin në Kuvendin e Kosovës edhe ligjin për Mbrojtjen e Sinjalizuarve.

“Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit do ta ketë në mandat të tij vlerësimin kundër korrupsionit, të akteve ligjore me qëllim të zbulimit dhe minimizimit të rreziqeve të hapësirave për korrupsion në legjislacion përkitazi me këtë agjencia për parandalimin e korrupsionit, do ta ketë mundësinë e dhënies së rekomandimeve për Kuvendin dhe Qeverinë mbi vlerësimin e projektligjeve që lidhen me parandalimin e korrupsionit”, tha Haxhiu.

Sipas saj, zgjedhja e drejtorit të agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit do të bëhet sipas këtij ligji.

“Unë jam e informuar se për këtë pozicion kanë kandidu shumë kandidat. Projektligji parasheh që mandatin për ta hartuar strategjinë kundër korrupsionit, do ta ketë Qeveria e jo Agjencioni Kundër Korrupsion, siç e ka aktualisht”, tha ajo.

Blerta Deliu – Kodra, deputete e Partisë Demokratike të Kosovës tha se Projektligji është filluar më herët.

“Në qeverinë paraprake ministri Selimi e ka finalizuar pas konsultimeve publike që janë mbajt në 2020 e sot kjo qeveri e ka sjell po të njëjtin projektligj. Nëse e ka sjell të njëjtin projektligj pse është vonu gjashtë muaj”, tha ajo.