Projektligji i ri për Shëndetësinë: Drejtorët e spitaleve dhe ai i QKU-së do të emërohen nga Qeveria
Projektligji i ri për Shëndetësinë parasheh që drejtori i Qendrës Klinike Universitare (siç do të quhet QKUK) dhe drejtorët e spitaleve rajonale të emërohen nga Qeveria me propozim të ministrit të Shëndetësisë, ndryshe nga tani që ata përzgjidhen përmes konkursit publik.
Nëse ky Projektligj hyn në fuqi, edhe drejtorët e klinikave do të emërohen nga drejtori i QKU-së, e jo sipas konkursit.
Krejt këta do të kenë mandate katërvjeçare me mundësi riemërimi.
Ky Projektligj ka paraparë ndryshim të madh të mënyrës së udhëheqjes së Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) dhe spitaleve të përgjithshme, të cilat aktualisht janë pjesë e Shërbimit Spitalor Klinik e Universitar të Kosovës (SHSKUK), i cili ka në krye drejtorin e përgjithshëm, i cili i raporton bordit drejtues.
Mirëpo, sipas Projektligjit të ri, QKUK do të quhet vetëm QKU dhe SHSKUK do të quhet QSU – Qendra Spitalore Universitare – e cila nuk do të ketë më drejtor të përgjithshëm por vetëm bordin e drejtorëve.
Ky bord i drejtorëve do të përbëhet nga drejtori i QKU-së dhe drejtorët e spitaleve rajonale.
Kjo është një përbërje krejt e ndryshme nga bordi aktual i SHSKUK-së, i cili ka një përfaqësues të spitaleve rajonale dhe nga një përfaqësues nga QKUK-ja, Qendra Klinike Stomatologjike, niveli parësor shëndetësor, Ministria së Shëndetësisë, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës dhe një ekspert të menaxhimit shëndetësor.
Në krye të këtij bordi do të jetë drejtori i QKU-së.
Udhëheqje të ngjashme do të ketë edhe Qendra Universitare Stomatologjike (QUS): një drejtor të përgjithshëm, i emëruar nga Qeveria. Drejtori i përgjithshëm emëron drejtorët e klinikave, e këta bashkë janë pjesë e bordit të drejtorëve të QUS-së.
Ky Projektligj është në fazën e konsultimeve publike nga 24.10.2024 deri më 13.11.2024.
Ndërsa, programi legjislativ për vitin 2024 parashihte që ky Projektligj të shkonte në Kuvend më 20.06.2024.
Nga ky Projektligj janë distancuar publikisht odat e profesionistëve shëndetësorë, më 02.10.2024, përderisa ai ishte në konsultime paraprake, mes institucioneve.
Sipas tyre, ky draft i Projektligjit është në kundërshtim me parimet kushtetuese, Ligjin për Odat e Profesionistëve Shëndetësorë, Ligjin për Zyrtarë Publikë, Ligjin e Punës, Ligjin për Produkte dhe Pajisje Medicinale, Ligjin për Prokurimin Publik.
Ata janë shprehur të indinjuar që nuk janë ftuar e konsultuar fare për këtë draft të Projektligjit, ndryshe nga herat e kaluara kur kanë qenë anëtarë të grupeve punuese për plotësim/ndryshim të Ligjit për Shëndetësi, i cili veçse është në fuqi.
I pyetur për këtë reagim, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, kishte thënë se marrin parasysh dhe respektojnë çdo kritikë e sugjerim lidhur me projektligjet.