Projektligji i ri për Kinematografinë, ‘Kosovafilmi’ shndërrohet në arkiv

“Kosovafilmi”, ish-ndërmarrja shoqërore për prodhimin, shfaqjen dhe distribuimin e filmit, me Projektligjin e ri për Kinematografinë, parashihet të shndërrohet në arkiv të filmit, në kuadër të Qendrës Kinematografike të Kosovës

“Ndërmarrja Shoqërore “Kosovafilm” e themeluar në vitin 1969 si kompani për prodhimin, shfaqjen dhe distribuimin e filmit, e cila tani është nën administrim të Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP), me këtë ligj bartet dhe ruhet me të gjitha të drejtat pronësore dhe intelektuale në njësi të posaçme të Qendrës Kinematografike të Kosovës”, thuhet në pikën 1 të nenit 38 të Projektligjit për Kinematografinë.

Përveç detyrës së arkivit, me Projektligjim e ri për Kinematografinë “Kosovafilmi”, arkivi i ardhshëm do të ruajë dhe mbrojë materialet filmike sipas standardeve ndërkombëtare.

Sipas këtij projektligji, njësia e posaçme e QKK-së, ka për detyrë të mbledh, të ruajë filmat e përkrahur financiarisht nga QKK-ja, filmat e prodhuesve të pavarur të Kosovës, filmat e studentëve, regjistrimet audio-vizuele të prodhuar nga institucionet e kulturës në Kosovë dhe regjistrimet e tjera audio-vizuele.

Po ashtu sipas këtij projektligji obligon të gjithë prodhuesit, që të dorëzojnë nga dy kopje të filmave apo veprat audio-vizive të realizuar me mbështetje financiare nga QKK-ose institucionet tjera t‘i dorëzojnë në arkivin e QKK-së.

Projektligji i ri për Kinematografinë është publikuar për diskutim publik dhe për dy javë palët e interesuar mund të paraqesin me shkrim vërejtjet dhe sugjerimet për projektligjin.