Projektkodi për sjelljen e deputetëve hiqet nga rendi i ditës
Projektkodi i sjelljes së deputetëve është hequr nga rendi i ditës i seancës së sotme të Kuvendit të Kosovës, më 12.09.2024.
I njëjti me propozim të AAK-së është kthyer për shqyrtim në komisionin përkatës parlamentar.
Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, ka thënë se partia e tij e përkrah propozimin e AAK-së.
Gashi ka folur në emër të propozuesit, Besnik Tahirit të AAK-së meqë ky i fundit ka munguar në seancë.
Ky Kod, një kopje të të cilit e disponon Kallxo.com, përveç që përcakton parimet e përgjithshme të sjelljes së përfaqësuesve të zgjedhur, parasheh edhe sanksione ndaj atyre që i thyejnë “rregullat e shtëpisë”. Sanksionet parashihen të jenë prej më të lehtave e deri te ato më të rënda, përkatësisht nga tërheqja e vërejtjeve e deri të ndalja e 50 për qind e pagës bazë.
Bazuar në draftin e këtij kodi, i cili aktualisht është në fazën e shqyrtimit në komisione parlamentare, shkeljet e lehta përfshijnë: pasthirrmat, zhurmimet, ndërprerjet e fjalës, përdorimi i celularit ose i laptopit në mënyrën që pengon mbarëvajtjen e seancës si dhe mosrespektimi i Kodit të veshjes.
Ndërsa në shkelje të rënda hyjnë: dhuna fizike, gjuha e pahijshme fyese e kërcënuese, ngacmimi seksual dhe konflikti i interesit.
Votimi për këtë pikë të rendit të ditës u bë në mënyrë elektronike, pasi që Kuvendi filloi sesionin vjeshtor pajisje të reja teknologjike.