Projekti për tunelin e kurrizit në Dardani - Qytetarët kërkojnë zgjidhjen e problemeve

Nënkryetarja e Komunës së Prishtinës, Donjeta Sahatçiu ka njoftuar se ka mbajtur takim me qytetarë për të diskutuar projektimin për renovim infrastrukturor të tunelit të kurrizit në Dardani.

Në takimin, që prezentë ishin edhe Arta Balaj nga Drejtoria e Kulturës dhe Ilirik Musliu nga Drejtoria e Shërbimeve Publike, qytetarët kanë kërkuar zgjidhjen e problemeve me mbeturina, erë, kanalizim, ndriçim, zhurmë dhe komunikacion.

“U kërkua të sigurohemi që problemet me mbeturina, erë, kanalizim, ndriçim, zhurmë dhe komunikacion të rregullohen me zgjidhje të qëndrueshme para çdo intervenimi vizual. U pajtuam njëzëri se aspekti funksional duhet të konsiderohet para aspektit estetik. Projekti duhet të zbatohet siç do të duket në propozim final dhe të mirëmbahet mirë” – ka shkruar Sahatçiu.

“Hapi i ardhshëm mbetet adaptimi i ndryshimeve dhe dorëzimi i planit zbatues për të filluar thirrjen e realizimit të intervenimit me buxhetin e vitit tjetër” – shtoi ajo.

Sipas Sahatçiut, qytetarët ishin të frustruar me problemet në tunel, të cilët siç tha ajo, dhanë këshilla e kritika dhe kërkuan takime më shpesh.

“Shumë krenare që propozimi për të takuar qytetarët e lagjes dhe anëtarë të komunitetit, për të cilët tuneli i kurrizit ka memorie kolektive, u realizua me sukses. Vlerësova sinqeritetin. Kishin kohë që nuk kishin dëgju dhe taku udhëheqësin në Kryeqytet. Edhe ideja për të dhënë përshtypjet e tyre në një fazë të hershme të një projekti ishte e re për ta. Ishin edhe të frustruar me problemet e shumta në tunel dhe jo vetëm. Por, dhanë secilën këshillë e kritikë dhe kërkuan takime të tilla më shpesh” – shkruan nënkryetarja.