Ankandi i parë i erës, 20.02.2025, Foto: Ministria e Ekonomisë/Facebook

Projekti për energjinë nga era, aplikuan 3 kompani dhe konsorciume

Ministria e Ekonomisë (ME) i ka hapur publikisht aplikimet e dorëzuara në bazë të Kërkesës për Kualifikim (KpK) për procesin e ofertimit konkurrues për Projektin e Erës me kapacitet të energjisë të synuar mes 50 dhe 100 MW, duke përfituar nga Skema Mbështetëse.

Sipas Ministrisë së Ekonomisë, kompanitë dhe konzorciumet që kanë aplikuar në Projektin e Erës janë: “Notus Energy” dhe “Stublla Energy” nga Gjermania dhe Kosova, “Akuo Energy” nga Franca dhe konzorciumi “Gurus” nga Turqia.

Ministria ka njoftuar se aplikimi për të plotësuar kërkesat për kualifikim nga ofertuesit e mundshëm është mbyllur më 20.02.2025 në orën 12:00 dhe janë pranuar tri oferta. 

“Oferta e 4-të nga Konzorciumi “One Era” nga Kosova, pritet të vlerësohet për arsye se është dorëzuar pas afatit të vendosur. Komisioni i hapjes së aplikimeve, do të vendosë në vijim sipas kritereve përkatëse të kërkesës për kualifikim” – thuhet në një komunikatë të ME-së, më 20.02.2025.

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka thënë se kanë siguruar një garë të drejtë dhe transparente, pas përvojës me ankandin e parë solar prej 100 MW.

“Tashmë kemi plotësuar edhe kornizën tonë ligjore me miratimin e Ligjit për Burime të Ripërtërishme të Energjisë, mbi normat e të cilit bazohet ky ankand. Deri në fund të realizimin të këtij projekti zotohemi përsëri të ndjekim procedura të larta të transparencës dhe konkurrencës” – ka thënë Rizvanolli. 

ME shton se gjatë javëve në vijim, Komisioni Vlerësues i përbërë nga anëtarë të Ministrisë së Ekonomisë, Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Zyrës së Rregullatorit për Energji si dhe Operatorit të Transmisionit – KOSTT, do të vlerësojë ofertat kundrejt kërkesave minimale financiare, ligjore dhe teknike, siç janë përcaktuar në Dosjen e Ankandit.

“Ndërsa si fazë e dytë e aplikimit është Kërkesa për Propozime, e cila fillon gjatë muajit mars të këtij viti, ku kompanitë e kualifikuara do të kenë mundësinë të ofertojnë me propozimet e tyre teknike dhe financiare për ndërtimin e impiantit të erës me kapacitet të synuar deri në 100 MW” – ka njoftuar ME.

ME thekson se ankandi i parë i erës, pas ankandit të parë solar, do të plotësojë edhe më shumë miksin energjetik me burime të ripërtërishme.

Ministria e Ekonomisë kishte hapur edhe ofertat e ankandit të parë solar fotovoltaik (FV) prej 100 MW, në të cilin u bën publik emrat e 6 kompanive dhe konsorciumeve që kishin dorëzuar ofertat.

Kompanitë dhe konsorciumet që kishin ofertuar në ankandin solar ishin: konsorciumi “Çalik-Limak” nga Turqia, kompania “Notus Energy Kosovo” nga Gjermania, përfaqësia në Kosovë – kompania “Akuo Energy SAS” nga Franca, kompania “Elswedy Electric” nga Egjipti, konsorciumi “Guris Insaat Muhendishik” nga Turqia, si dhe konsorciumi “Orllati” nga Zvicra – përfaqësia në Kosovë.

Ankandi është mbyllur më 31 janar 2024 në ora 14:00, në të cilin janë pranuar 6 oferta.