Projekti i ri i BE-së do mbështesë përpjekjet në vaksinim në Ballkanin Perëndimor

Bashkimi Evropian në bashkëpunim me Bankën Botërore ka lansuar një projekt të ri rajonal me vlerë mbi 7 milionë euro për mbështetje të vaksinimit të sigurt dhe efektivë në popujt e Ballkanit Perëndimor.

Ky projekt do ndihmojë në përgatitje të rajonit për pranim dhe administrim efektiv të vaksinave kundër COVID-19, përfshirë këtu, ato të marra nga COVAX dhe përmes mekanizmit shpërndarës të BE-së me vendet anëtare.

Kjo gjithashtu do ndihmojë në përmirësimin e rezistencës së rajonit ndaj emergjencave shëndetësore dhe do mbështesë tutje në lëvizjen drejt financimit të qëndrueshëm për kujdesin e përgjithshëm shëndetësor. Aktivitetet, ndër të tjera do të përfshijnë edhe zhvillimin dhe testimin e planeve emergjente të gatishmërisë, trajnim për profesionistë shëndetësor dhe zhvillimin e sistemeve të menaxhimit të informacionit për vaksinat.

Komisioneri për fqinjësi dhe zgjerim, Oliver Varhelyi, tha: “Me anë të këtij projekti të ri për mbështetje të fushatës së vaksinimit në Ballkanin Perëndimor në partneritet me OBSH-në, BE vazhdon angazhimin e saj në mbështetjen e partnerëve tanë në trajtimin e pandemisë që nga fillimi i saj. Projekti vjen në krye të pakos sonë prej 70 milionë euro për të mbështetur mundësinë e qasjes në vaksina për rajonin dhe siguruar pajisjet e nevojshme për fushatat”.

Pakoja totale e ndihmës së BE-së për Ballkanin Perëndimor në përgjigje ndaj COVID-19 aktualisht tejkalon 3.3 miliardë euro. Këtu përfshihet mbështetja për pajisje të menjëhershme, mbështetjen afatmesme dhe afatgjate për sistemin shëndetësor dhe ekonomik, mbështetjen për bizneset përmes bankave lokale, ndihmën makro financiare në formë të kredive.

Përveç mbështetjes financiare, BE ka mundësuar gjithashtu që i gjithë Ballkani Perëndimor të bashkohet në marrëveshjen e përbashkët të BE-së për të blerë mjete mbrojtëse dhe të bashkohen në komitetin e sigurimit shëndetësor të BE-së si vëzhgues.

Po ashtu, BE është mbështetësi më i madh i COVAX, i cili mbetet mjeti më i mirë për të siguruar qasje të drejtë dhe të barabartë në këto vaksina.

Europa ka kontribuar më shumë se 850 milionë euro për COVAX, duke përfshirë 500 milionë nga buxheti i BE-së.

Ky do jetë një kontribut kyç për COVAX për sigurim të 1.3 miliardë dozave të vaksinës për 92 vende me të ardhura të vogla dhe të mesme deri në fund të vitit 2021  ec.europa.eu