
Projekti i palestrës multusportive në Prishtinë, Foto: Hajrulla Çeku/Facebook
Projekti i palestrës multisportive në Kryeqytet përplas të parin e Prishtinës dhe ministrin e Kulturës
Projekti i Palestrës multisportive në kryeqytet, u bë shkas i përplasjes mes të parit të Prishtinës, Përparim Rama dhe ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku.
Të premten, më 03.01.2025, ministri Çeku përmes një postimi në profilin e tij në Facebook ka akuzuar Komunën e Prishtinës se ka një vit që ka neglizhuar ndajen e lokacionit për projektin e palestrës multisportive në Prishtinë, për ndërtimin e së cilës thotë se janë ndarë buxhet 3.5 milionë euro.
“Ky është vetëm njëri nga projektet që jemi zotuar për të investuar në infrastrukturën sportive të kryeqytetit, por kemi hasur në neglizhencë totale të Komunës së Prishtinës. Dhe sikur kjo të mos mjaftonte, ajo çfarë kemi dëgjuar përditë nga ta është kinse Qeveria po i pengon apo nuk po investon në Prishtinë”- ka shkruar Çeku më 03.01.2025.
Ndërsa kryetari Rama i është kundërpërgjigjur ministit Çeku duke thënë se kanë qenë asamblistët e LVV-së që katër herë e kanë refuzuar lokacionin dhe planin për palestër.
“Lokacioni dhe plani për palestrën janë refuzuar katër herë nga asambleistët e Vetëvendosjes. Në seancën e fundit (04.12.2024), kjo bllokadë u shoqërua me shkatërrim të pronës publike dhe ndërhyrje të policisë! Komuna e Prishtinës ka planifikuar ndërtimin e palestrës si pjesë të një kampusi sportiv në Bernicë, me projekte të plota urbanistike dhe përpjekje të vazhdueshme për miratim.Përhapja e propagandës dhe mungesa e bashkëpunimit politik po dëmtojnë Prishtinën dhe qytetarët e saj. Faji për vonesat bie mbi bllokimin e qëllimshëm nga Vetëvendosje dhe jo mbi Komunën”- ka shkruar Rama më 04.01.2025 në Facebook.
Tutje, Rama është shprehur se Komuna e Prishtinës do të vazhdojë të punojë për të realizuar projektet e rëndësishme politike duke thënë se “qytetarët e Prishtinës meritojnë zhvillim dhe jo propagandë politike”.