SEE Cinema Network. Foto: QKK

Projekti filmik ‘Burek’ fiton mbështetjen e SEE Cinema Network

Projekti filmik “Burek” i Ismet Sijarinës ka marrë mbështetje financiare nga SEE Cinema Network (Rrjeti i Fondeve të Filmit i Evropës Juglindore).

Qendra Kinematografike e Kosovës përmes një njoftimi për media ka bërë të ditur se “Burek” është në mesin e tetë filmave të mbështetur nga Rrjeti i Fondeve të Filmit i Evropës Juglindore.

“Në mbledhjen e 31-të të asamblesë së përgjithshme të SEE Cinema Network (Rrjeti Fondeve të Filmit i Evropës Juglindore) të mbajtur online, është vendosur të mbështeten 8 projekte filmike nga 8 vendet anëtare të rrjetit. Projekti filmik i mbështetur nga Kosova, filmi i gjatë artistik në zhvillim ‘Burek’ nga Ismet Sijarina ishte fitues në konkursin e QKK-së të vitit 2019 në kategorinë zhvillim skenari”, thuhet në njoftimin e QKK-së.

Filmi rrëfen historinë e Hektorit,  një burrë 45-vjeç, emigrant nga Kosova, që martohet për letra me një vajzë gjermane (Kristine).

Rrjeti i Fondit të Filmit të EJ ka për qëllim të krijojë bashkëpunim në mes shteteve anëtare që përmes kinemasë të eksplorohet e përbashkëta e identitetit evropian, duke integruar dhe festuar diversitetin kulturor dhe traditat e ndryshme.

Nga viti 2017 QKK-ja është anëtare e SEE Cinema Network.