Grafika: BIRN.

Projekti Eyewitness Ukraine tregon përvojën e gazetarëve gjatë luftës

Video projekti i ri i BIRN përmban intervista me gazetarë ukrainas të cilët tregojnë se si pushtimi rus ka ndryshuar jetën e tyre profesionale dhe atë personale, duke dokumentuar kështu përvojat e punonjësve të medias gjatë luftës.

Rrjeti Ballkanik për Gazetari Investigative prezantoi projektin e tij Eyewitness Ukraine (Dëshmitar Okular në Ukrainë) më 18 gusht, 2022- një faqe e re interneti me intervista me gazetarë ukrainas që flasin për përvojat e tyre personale të jetesës dhe punës gjatë pushtimit rus të vendit të tyre.

Gazetarët flasin hapur se si reaguan kur dëgjuan për herë të parë se pushtimi kishte filluar në shkurt, rreziqet me të cilat janë përballur teksa raportojnë për luftën dhe se si puna e tyre gjatë kohës së luftës ka ndikuar në jetën e tyre personale.

Ata diskutojnë gjithashtu çështje si ndikimi i luftës në lirinë e medias, sfidat e ruajtjes së objektivitetit gjatë raportimit për një pushtim të vendit tënd dhe problemet e paraqitura nga kufizimet zyrtare të vendosura sipas ligjit ushtarak, si dhe dezinformimin dhe propagandën ruse.

“Këto intervista nxjerrin në pah angazhimin e gazetarëve ukrainas për të raportuar për luftën në vendin e tyre, pavarësisht rreziqeve me të cilat përballen”, tha Matthew Collin, redaktori i BIRN në projektin “Eyewitness Ukraine”.

“Gjashtë muaj pas konfliktit, ata kanë mbetur të përkushtuar për të kërkuar të vërtetën, për të informuar publikun dhe për të mbështetur lirinë e medias sa më mirë që të munden në një shtet nën pushtim”, shtoi ai.

Në mesin e të intervistuarve janë figura të shquara mediatike si Angelina Kariakina, drejtuese e  lajmeve në Televizionin Publik të Ukrainës, Andriy Tsaplienko, një gazetar televiziv për TV 1+1, i njohur për raportimin e tij të luftës dhe Nataliya Gumenyuk, bashkëthemeluese e Public Interes Journalism Lab dhe e Hromadske TV.

Në intervistën e saj për projektin “Eyewitness Ukraine”, Kariakina tha se ajo dhe gazetarë të tjerë ukrainas kanë qenë dëshmitarë të dhunës së tmerrshme gjatë konfliktit.

“Kam parë trupat në rrugë, kam parë shkatërrimet e tmerrshme të zonave të banuara, kam parë fshatra të djegura”, tha ajo.

“Por kam parë gjithashtu dhe kam qenë dëshmitare e shembujve të jashtëzakonshëm të solidaritetit, guximit dhe ndihmës”, shtoi ajo.

Kariakina argumentoi se qëllimi i gazetarisë ka mbetur i njëjtë pavarësisht luftës – “të hedhë dritë në vende të errëta, t’i jap zë atij që nuk ka zë, të raportojë të vërtetën dhe thjesht të jetë aty për njerëzit”.

Ndërsa lufta vazhdon, BIRN do të shtojë më shumë intervista në faqen e internetit Eyewitness Ukraine për të treguar më shumë se si punonjësit e medias po përballen me stresin e vazhdueshëm të të jetuarit muaj të tërë nën konflikt, ndërsa vazhdojnë të bëjnë punën e tyre.

Lufta në Ukrainë tashmë ka rezultuar vdekjeprurëse për gazetarët. Të paktën 12 punonjës të medias janë vrarë gjatë mbulimit të konfliktit, deri më tani, dhe shumë të tjerë janë plagosur, sipas Komitetit për Mbrojtjen e Gazetarëve me qendër në Nju Jork.

Ka prova se njëri prej tyre, fotoreporteri Maks Levin, është ekzekutuar nga forcat ruse, ka pretenduar organizata për lirinë e medias Reporterët pa Kufij. BalkanInsight