Projekti 120 milionësh, NPB njofton se Policia kreu bastisje në zyret e tyre

Policia e Kosovës gjatë ditës së djeshme ka realizuar një urdhër kontroll në Ndërmarrjen Publike Banesore (NPB).

Siç thuhet në një njoftimin për media të NPB-së, bastija u krye për të marrë dokumente që ndërlidhen me projektin e dyshimtë afaristo-banesor të NPB-së, që kap shifrën e 120 milionë eurove.

Këtë bastisje, NPB-ja e ka konsideruar që ka pasur shkelje ligjore.

Përmes një komunikate për media, NPB-ja ka pretenduar se dokumentet që Policia ka marrë, i janë dorëzuar organeve rreth 5 muaj më herët.

“Pasur parasysh këtë fakt, kërkesa e tyre është e pakuptimtë. Përgjatë orëve që këta zyrtarë policorë ishin në ambientet tona, kanë bërë shkelje ligjore. Ata kanë qëndruar në dy kate duke mos lejuar praninë e askujt nga zyrtarët tanë  për rreth një orë. Për më shumë ata kanë tejkaluar çdo limit me një veprim tjetër po ashtu të kundërligjshëm: për një orë që ata kanë qëndruar pa prezencën e zyrtarëve të NPB  në katin e dytë dhe të tretë i kanë ndalur të gjitha kamerat e sigurisë”, thuhet në komunikatën e NPB-së.

Sipas Ndërmarrjes Publike Banesore, e gjithë kjo veprimtari e zyrtarëve policor është në kundërshtim me dispozitat përkatëse të procedurës penale dhe për të njëjtën NPB-ja ka paralajmëruar se do të merr hapat e nevojshëm ligjor.

“NPB deri më tani ka dëshmuar bashkëpunim me çdo insitucion publik në raport me çdo kërkesë që i është paraqitur përfshirë këtu edhe organet e rendit publik në përputhje me nenin 66 të Kodit nr. 04/L-123 të Procedurës Penale”, thuhet tutje në komunikatë.

Më 4 nëntor 2021, në KALLXO.com është publikuar hulumtimi që pikërisht tregon për projektin e dyshimtë të Ndërmarrjes Publike Banesore, në vlerë 120 milionë euro, për ndërtimin e një kompleksi banesor në lagjen Lakërishte të kryeqytetit.

Në këtë hulumtim tregohet se si ish bordi i drejtorëve kishte shkarkuar kryshefin ekzekutiv të NPB-së, Hajdar Hoxhajn, në pretendimet për shkelje ligjore gjatë projektit në Lakërishte. Vendimi për shkarkimin e kryeshefit nuk ishte protokuluar nga stafi i NPB-së dhe si rrjedhojë tre ditë më pas, aksionarët e Ndërmarrjes kishin shkarkuar dy anëtarët e Bordit.

Gjithashtu, në hulumtim tregohet për procedurat e dyshimta të përzgjedhjes së kompanive fituese, kufizimin e konkurencës, mungesën e transparencës si dhe shkaktimin e rrezikut ndaj banorëve për rreth tokës ku synohet ndërtimit i projektit, përmes ekspozimit ndaj materialeve me përmbajtje të azbestit.

Ana e errët e projektit të ndërtimeve të Ndërmarrjes së Prishtinës

e