Projektet që u realizuan në Zubin Potok, kryetari i komunës tregon se sa buxhet planifikoi - VIDEO 

Ndonëse në zgjedhje të jashtëzakonshme e me probleme të mëdha për të punuar nga objekti komunal, Izmir Zeqiri tashmë ka një vit e gjysmë që udhëheq Komunën e Zubin Potokut.

Zeqiri për muaj me radhë udhëhoqi komunën jo nga hapësirat objektit që është i vendosur në qendër të Zubin Potokut.

“Jeta në Komunë” për të parën herë zhvilloi edhe debatin komunal atje bashkë me Zeqirin, drejtorë komunalë e asamblistë.

Për 1 vit e gjysmë sa është në krye të komunës, Zeqiri para Jeta Xharrës tregoi se si shpenzoi buxhetin komunal dhe cilat janë projektet e tjera që priten të realizohen deri në fund të mandatit të tij.

“Deri më tani kemi arrit dhe jemi në proces e sipër janë disa punë që po punohen ani pse dihet në çfarë rrethana jemi, konsideroj që kemi arritë deri dikund mirë që të punojmë përballë qytetarit. Ajo çka kemi bërë deri më tani është asfaltimi i rrugëve në fshatin Çabër, lagjja Ukaj, vlera 35 mijë euro, asfaltimi i rrugës lagja Nimanaj, vlera e parashikuar 35 mijë euro. Ndërtimi i parqeve në fshatin Çabër, vlera 50 mijë euro, parku në Zubin Potok 50 mijë euro, renovimi i objektit të Komunës së Zubin Potokut, vlera e parashikuar 58 mijë euro. Ndërtimi i parkingut nëntokësor në Zubin Potok nuk mujm me e realizu sepse janë disa specifika për këtë”- tregon Zeqiri për projektet të cilat janë planifikuar që të realizohen.

Ai shton se mbi 25 mijë euro kanë investuar për pajisje për kabinete në shkolla, kryesisht për kabinetet e biologjisë, kimisë, matematikës, fizikës.

Gjithashtu Zeqiri foli për dy rrugë që vlera e parashikuar për to ishte 200 mijë euro.

“Disa rrugë të planifikuara prej buxhetit të vitit të kaluar nuk do të mundemi që t’i realizojmë, këto dy rrugë i kemi marrë nga rekomandimet edhe të MPB sepse viti i kaluar ishte një vit me plot tensione dhe nuk e kisha bashkëpunimin e duhur me komunitetin shumicë për t’i parashikuar këto projekte ku duhet dhe ku mund t’i realizojmë. Rekomandimet i kemi marrë prej ministrisë dhe premtimet me bashkëfinancim që t’i kryejmë këto sepse 9 kilometra rrugë me 100 mijë euro nuk mund të bëjmë asgjë”- thotë Zeqiri.

Problemi i parkingut nëntokësor sipas Zeqirit thotë se është çështje e problemeve pronësore arsyeja se nuk mund ta realizojnë këtë projekt.

“Paratë e projekteve që nuk janë realizuar do të kthehen. Faji mund të mbetet jetim sepse ne kemi pritë që të jemi në harmonizim me ministrinë për investime. Mbetet me u pa. Mund të barten edhe në vitin e ardhshëm”- shton ai.

Ai foli edhe për investimet në fshatrat dhe vendbanimet me qytetarë serb.

“Vlera e një parku që është në përfundim e sipër dhe është shumë i mirëpritur nga komuniteti është në Zubin Potok jo larg qendrës ka kushtu 50 mijë euro. E kemi edhe renovimin e komunës që jemi duke e bërë, i takon komunitetit shumicë”- tregon tutje Zeqiri.

Sipas Zeqirit vitin e kaluar nuk kanë pasur asnjë projekt ide për të realizuar duke u bazuar në ngjarjet që janë shënuar.

“Kemi kërkesa dhe do t’i realizojmë. Nuk kemi mujt me kalu buxhetin. Në bazë të planit buxhetor, diku konsiderojmë 450 mijë 500 mijë për komunitetin shumicë serb. Buxheti nuk po kalon, kemi parapa shumë buxhet për komunitetin shumicë dhe dojnë ma shumë buxhet për pakica sepse vitin e kaluar kemi qenë edhe të anashkaluar, mirëpo problemi është qaty pse nuk është miratu”- thotë Zeqiri.

Në Zubin Potok 80 përqind e qytetarëve janë të komunitetit serb ndërsa 20 përqind shqiptar sipas kryetarit Izmir Zeqiri.

“Në Çabër vite të tëra kanë kaluar për të realizuar një projekt i rrugëve nuk ka pasur investim bajagi i duhur, unë vi nga Çabra kemi pas dhe kemi gjithë përfaqësues në asamble që na kanë taku si përqindje mirëpo, kemi pas investime por jo të duhura”- tha Zeqiri.

Ai madje përmendi edhe projektet që janë të nevojshme në Zubin Potok.

“Nëse kalon buxheti, tri projektet kryesore nuk do t’i kisha veçuar që janë tri kryesore sepse të gjitha që janë planifikuar janë tejet të nevojshme. Kemi pasur kërkesa të qytetarëve nga vendet ku kanë ardhë dhe natyrisht kanë kërku shtigje, rrugë, kemi fshatra bukur të gjera dhe një pjesë e madhe janë përqendruar te ofrimi i infrastrukrurës rrugore, kanalizim e tjetër”- tha Zeqiri.

Izmir Zeqiri u zgjodh si Kryetar i Zubin Potokut në prill të vitit 2023, në zgjedhjet e jashtëzakonshme në komunat në veri të vendit pas dorëheqjeve të kryetarëve të kaluar.

Zgjedhjet që u mbajtën të jashtëzakonshme në katër komunat me shumicë serbe u mbyllën me vota në numër të vogël e që kryesisht votuesit ishin shqiptar me ç ‘rast, në krye të këtyre komunave u zgjodhën kryetarë shqiptar.

Por nuk përfundoi gjithçka me zgjedhjen e kryetarëve të rinj. Betimin si kryetar kandidatët shqiptar e kryen nëpër objekte të tjera e jo në Komuna për shkak të protestave që realizonin qytetarët serb që kundërshtonin kryetarët e rinj.

Izmir Zeqiri është njëri nga kryetarët të cilit iu pamundësua për muaj me radhë të kryente funksionin e tij të kryetarit nga objekti i komunës së Zubin Potokut.

Madje ai mbeti jashtë komunës edhe me datë 26.05.2023 pasi që i ishte ndaluar hyrja brenda objektit nga disa qytetarë që kishin dalë në protestë.

Para komunës, për javë me radhë u mblodhën qytetarë të shumtë të cilët nuk lejonin asesi hyrjen e kryetarit brenda komunës sepse siç thonin ata nuk pranonin që komunitetin serb ta përfaqësonte një kryetar shqiptar.

Më 21.04.2024 në katër komunat me shumicë serbe u mbajt edhe një votim për të shkarkuar kryetarët shqiptar nga pozitat udhëheqëse.

Kësaj iniciative i kishte hapur rrugë një Udhëzim Administrativ i Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal e që përcaktonte që kryetari i komunës konsiderohet i larguar nga posti nëse 50 për qind +1 e qytetarëve në listëve e votuesve votojnë në favor të largimit të tij.

Në ditën e zgjedhjeve, kryetarët nuk morën votat e mjaftueshme për tu larguar nga pozitat e tyre.