Shpend Ahmeti

Projektet e mëdha të premtuara gjatë fushatës që filluan në vitin e fundit të mandatit të kryetarit Shpend Ahmeti

Qeverisja prej dy mandateve radhazi e Shpend Ahmetit në Prishtinë ka hyrë në vitin e fundit, dhe shumë prej premtimeve të tij më të mëdha të këtij mandati po marrin jetë në vitin e fundit të qeverisjes.

Ahmeti në fushatën parazgjedhore kishte dhënë rreth 90 premtime për projekte që do realizoheshin në mandatin e tij të dytë të qeverisjes në kryeqytet.

Por, nga ajo që është parë, një pjesë e madhe e projekteve më të mëdha kanë hyrë në buxhet dhe procedura prokurimi në vitin e fundit të mandatit.

Punimet për parkingun nëntokësor në Prishtinë

Parkingu nëntokësor te Fakulteti Filologjik

Ndër projektet më të mëdha që është përmendur shumë është ai i parkingut nëntokësor te Fakulteti Filologjik, punimet për të cilin filluan në fund të vitit 2020.

Këto punime ishin paraparë të fillonin në fillim të viti 2020, por që kishte pasur zvarritje në procedura të prokurimit si dhe ndalje të prokurimit në investime kapitale për disa muaj si shkak i pandemisë.

Renovimi i tregjeve të qytetit

Dy projekte tjera për renovim të dy tregjeve kryesore në qytet kanë qenë po ashtu të shumë pritura nga qytetarët, por deri në këtë vit nuk ka pasur diçka konkrete.

Para një jave komuna nënshkroi kontratë për ‘Tregun e ri të Qarshia’ (projekti ishte bartur në buxhetin e këtij viti nga ai paraprak), kurse renovimi i Tregut në lagjen ‘Ulpiana’ është në projekt buxhet të vitit 2021, po ashtu dhe pritet të shpejtë të futet në procedurë të prokurimit.

‘Rruga A’ dhe kolektori i ujërave të zeza

Një projekt tjetër i nevojshëm dhe i shtyrë disa herë është edhe ndërtimi i ‘Rrugës A’ dhe kolektorëve të ujërave e të zeza në lagjet ‘Mati’ dhe ‘Kalabria’, që është futur në buxhet të këtij viti.

Ky projekt do jetë në bashkëfinancim me Ministrinë e Infrastrukturës, ku nga kjo e fundit do ndahen rreth 6 milionë euro dhe pjesa tjetër nga komuna.

Projekti është ende në hartim nga ana e komunës dhe pritet të fillojë në muajt në vijim.

Foto: Atdhe Mulla

Salla Koncertale

Projekt tjetër që pritet të fillojë këtë vit, është edhe adaptimi i ish shtëpisë së mallrave ‘Gërmia’ në sallë koncertale.

Para pak ditësh komuna ka shpalosur tre projekte që janë pjesë e konkursit dhe fituesi pritet të shpallet ditëve në vijim.

Nëse gjithçka shkon sipas planit, procedurat për Sallën Koncertale pritet të nisin në tetor-nëntor të këtij viti.

Nga komuna është thënë se kjo sallë do mbajë emrin “Gërmia” nëse është investim i komunës, kurse nëse kushton shumë dhe kërkohet kontribut nga BE, salla do mbajë emrin “Evropa”.

 

Tuneli në rrugën ‘Agim Ramadani’

Një projekt tjetër të cilin komuna për herë të parë e futi në buxhet në vitin 2020 dhe që nuk ka qenë premtim i fushatës është ndërtimi i një tuneli nëntokësor në rrugën “Agim Ramadani”, me anë të këtij projekti, komuna ka në plan të lidh pjesën e vjetër dhe atë të re të qytetit.

Projekti konsiderohet si ndër më të mëdhenjtë në investime kapitale, me një kosto të parashikuar prej 2.8 milionë euro. Tuneli do jetë i gjatë 300 metra.

Procedurat për këtë tunel kanë filluar në fund të vitit 2020, kurse kontrata është nënshkruar këtë vit.

Ilustrim

Spitali i qytetit

Spitali i qytetit është një nga projektet që është përmendur shumë gjatë tërë mandatit por deri tani komuna ende nuk ka arritur të ndajë një pronë për ndërtimin e tij.

Ndërsa, Ministria e Shëndetësisë ka ndarë 500 mijë euro për hartim të këtij projekti.

Me anë të ligjit për Prishtinën që ka filluar të implementohet nga viti 2019, kryeqytetit i është shtuar kompetenca që të ketë Spital, si dhe drejtori të policisë që do ketë kompetenca vetëm në territorin e kryeqytetit.

Deri tani asnjëri prej tyre nuk është realizuar, Spitali për arsye të mos ndarjes së pronës, kurse drejtoria e Policisë si shkak i mos ndryshimit të ligjit për policinë që duhet të bëhet nga Ministria e Punëve të Brendshme dhe më pas të kalojë edhe në Kuvend.

I pari i Prishtinës, Shpend Ahmeti kishte premtuar edhe ndërtimin e pesë shkollave të reja, prej tyre asnjë deri tani nuk ka përfunduar, por që janë futur në buxhet të këtij viti dhe disa tashmë janë edhe në prokurim.

Projektet që u përmendën më sipër nuk pritet të përfundojnë brenda mandatit të Ahmetit, kurse neve na mbetet të  shpresojmë që punimet për to të mos përcillen me zvarritje.