Projektet e Komunës së Pejës që do të financohen nga Qeveria

Në orët e hershme të mëngjesit të së dielës, Kuvendi i  Kosovës me 63 vota pro, miratoi Buxhetin e Kosovës për vitin 2020.

Në total, buxheti i këtij viti është 2 miliardë e 357 milionë euro.

Qeveria e Kosovës e udhëhequr nga Albin Kurti, për vitin 2020 ka paraparë investime nga buxheti qendror për Komunën e Pejës rreth 6 milionë euro.

Buxheti i Komunës së Pejës për vitin 2020 është rreth 28 milionë euro.

Gjithsejt 33 projekte janë paraparë nga Qeveria Kurti për të investuar këtë vit në Komunën e Pejës.

Investimet në infrastrukturën rrugore

Plotë 15 projekte nga 33 sa janë për Komunën e Pejës, janë paraparë për infrastrukturën rrugore. Ndërsa shumica janë të bartura nga buxheti i vitit 2019.

Për vitin 2020 është parashikuar ndërtimi i rrugës ‘te Varrezat’ në vlerë prej 100 mijë euro. Asfaltimi i rrugës ‘Malaj’, 33 mijë euro. Ndërtimi i rrugës ‘Shtupeqi i Madh’, në vlerë prej 146 mijë euro. Projekte këto të bartura nga vitit 2019.

Gjithashtu është paraparë ndërtimi i rrugës Kuqishtë – Rugovë, në vlerë prej 100 mijë. Rruga Reka e Allages – Rugovë, në vlerë prej 200 mijë euro. Rruga Stankaj – Rugovë, në vlerë prej 100 mijë euro.

Asfaltimi i rrugëve është parashikuar edhe për fshatrat Koshutan – Lekaj – Rugovë, 100 mijë euro. Rruga Koshutan – Hajl – Rugovë, po ashtu 100 mijë euro. Rruga Pepaj – Koshutan – Rugovë, 123 mijë euro.

Është vazhduar me asfaltim të rrugëve edhe për Dugaiev – Gunisht – Shkrel – Pejë, në vlerë prej 250 mijë eurove.

Pastaj, ndërtimi i rrugës në hyrje të qytetit të Pejës nga Prishtina, për vitin 2020 janë parashikuar 1 mijë e 200 euro, pasi deri në vitin 2019 është kryer shumica e projektit, në vlerë rreth 2 milion euro.

132 mijë euro janë paraparë për asfaltimin e rrugëve në qytetin e Pejës. Ndërtimi i rrethrrotullimit të Gjelbër në magjistralen M9, hyrja e Pejës, në vlerë 250 mijë eurove. Dhe ndërtimi i rrugës Sferkë – Budisalc, në vlerë prej 94 mijë eurove.

Edhe këto projekte janë të bartura nga buxheti i vitit 2019.

Investimet në Arsim

2 milionë e 178 mijë euro janë parashikuar nga Qeveria e Albin Kurtit për investime në sektorin e Arsimit në Komunën e Pejës.

Për Universitetin e Pejës janë ndarë 1.4 milion euro, që janë bartur nga buxheti i vitit të kaluar.

Pastaj, është parashikuar ndërtimi i shkollës fillore në fshatin Krushec, në vlerë prej 200 mijë eurove. Ndërtimi i Qendrës Trajnuese, 28 mijë euro.

Dhe ndërtimi i një shkolle fillore në Pejë, në vlerë prej 550 mijë eurove, por nuk është cekur se për cilën shkollë bëhet fjalë. Edhe këto projekte të bartura nga viti 2019.

Kultura

Për sektorin e Kulturës në Pejë janë ndarë 90 mijë euro.

Përfshihet renovimi i Kullës së Sheremetit, 30 mijë euro. Restaurimi dhe konservimi i kullës së Fazli Boqollit në fshatin Raushiq, 40 mijë euro. Dhe Lapidari në Zahaq të Pejës, në vlerë prej 20 mijë eurove.

Sporti

Gjithsej 642 mijë euro janë parashikuar investime në sektorin e sportit, nga Qeveria Kurti për Komunën e Pejës.

Është parashikuar ndërtimi i Stadiumit të Qytetit, 150 mijë euro. Ndërtimi i Palestrës së Sportit në fshatin Zahaq, në vlerë 100 mijë euro. Stadiumi në fshatin Novosellë të Pejës, po ashtu 100 mijë euro.

Gjithashtu është paraparë ndërtimi i Qendrës Nacionale të Xhudos, në vlerë prej 82 mijë eurove. Ndërtimi i Palestrës së Sporteve në fshatin Loxhë, në vlerë prej 100 mijë eurove. Dhe punimet finale në palestrën ‘Bedri Pejani’ në Pejë, në vlerë 110 mijë euro.

Përveç këtij projekti të fundit, të gjitha të tjerat në sport janë projekte të bartura nga vitit 2019.

Investime të tjera

Rreth 900 mijë euro janë parashikuar në vitin 2020 për investime si në shtrate të lumenjve dhe deponive, në Komunën e Pejës.

Është paraparë ndërtimi i argjinaturave të lumit nga ura e tranzitit deri në Zahaq, në vlerë prej 400 mijë eurove.

Si dhe ndërtimi i deponisë komunale në regjionin e Pejës, në vlerë të 500 mijë eurove. Të dyja këto projekte të reja për vitin 2020.