Ilustrim

Projektbuxheti i vitit 2025 shqyrtohet javën e ardhshme në Kuvend, opozita paralajmëron votën kundër

Kuvendi i Kosovës do të debatojë javën e ardhshme, më 11.11.2024, Projeketbuxhetin për vitin 2025. Kështu është vendosur në mbledhjen e sotme të Kryesisë së Kuvendit, ndërsa paralajmërimi i kësaj seance u bë publik nga shefat e dy grupeve parlamentare të partive opozitare, LDK dhe AAK, të cilët apriori e kundërshtuan këtë projektligj.

Shefi i Grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi, si dhe shefi i GP të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, pasi e shprehen qëndrimin kundër dhanë edhe arsyet pse kanë vendosur kështu.

“Sipas bindjeve tona do të jetë buxhet jetëshkurtër sepse qeveria e re pas zgjedhjeve të 9 shkurtit duhet ta rishikojë dhe të jap një buxhet zhvillimor. Të jap një buxhet ku rriten pagat, ku rritet mirëqenia dhe ekomonia e Kosovës. Ne nuk do ta votojmë buxhetin. Ky buxhet i ka edhe dy probleme ligjore dhe kushtetuese”- tha Gashi i LDK-së.

Ai ka identifikuar “dy gabime” të cilat pretendon se i ka bërë Qeveria Kurti në Projekbuxhetin 2025.

“E para ka të bëjë me ndërhyrjen e buxhetit të shtetit në Ligjin për Pagat në Sektorin Publik. Pra tentojnë që me një ligj të karakterit vjetor të ndryshojnë një ligj bazik i cili është Ligji për Pagat në Sektorin Publik. Kjo është e pamundur! Ndërhyrja e dytë e këtij ligji, pra Ligjit të Buxhetit, që tentojnë ta bëjnë këta, është në Ligjin për tatimin në pronën e paluajshtme. Poashtu e njëjta vlenë sepse në ligjin specifik ndërhyhet me një ligj të karaketerit të përkohshëm”- theksoi Gashi.

E si “mbytje të zhvillimit ekonomik” buxhetin e vitit 2025 e cilëson edhe shefi i Grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri .

“Buxheti e konfirmon mbytjen e zhvillimit ekonomik. Ua ka varros shpresën 80 000 njerëzve që punojnë në shtetin e Kosovës për një pagë të dinjetetshme. Është buxhet që nuk ka asnjë projekt kapital të rëndësishëm. Nga ne do të kundërshtohet fuqishëm. E mira e kësaj pune është që 9 shkurt janë zgjedhjet dhe do të ketë një qeveri tjetër dhe ajo qeveria [më pas] duhet ta rishikojë në plotëni këtë buxhet”- tha Tahiri.

Buxhetin prej 3.6 miliardë eurosh, ai e cilësoi si “letërnjoftim të kësaj qeverie”, pasi që një pjesë e rritjes së pagave do të bëhet nga janari, e pjesa e dytë e rritjes nga korriku i vitit 2025.

“Për me u përmirësu do të duhet të ishin të paktën 50 amandentime të cilët do ta rregullonin sistemin e pagave në sektorin publik e deri në çështjet më minore. Pra, ne nuk e votojmë këtë buxhet se ne e shohim këtë buxhet si një instrument që është letërnjoftimi i kësaj qeverie. Për katër vite, 50 euro për gjashtë muaj dhe 50 euro për gjashtë muaj tjerë, kjo është letërnjoftimi i kësaj qeverie”- përfundoi Tahiri.

Pas deklarimeve të dy deputetëve, shefja e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari- Lila  tha se seanca e rregullt do të mbahet me 11.11.2024 me fillim nga ora 10:00 me vetëm një pikë të rendit të ditës “Shqyrtimin dhe miratimin e projektbuxhetit për vitin 2025 në lexim të parë”.

“Arsyeja që kemi caktuar seancën e buxhetit një javë pas ditës së sotme është që e kemi caktuar procedurën e Rregullorës së punës së Kuvendit me të cilën shihet se buxheti shqyrtohet në seancë të rregullt shtatë ditë pas shpërndarjes të gjithë deputetëve të Republikës së Kosovës”- tha ajo.

Pyetur nga gazetarët se a pritet të vonohet Ligji për Buxhetin pasi që dy parafolësit e kundërshtuan atë, ajo tha se “nuk është asgjë e re”.

“Nuk është asgje e re nëse e shihni paternin e paritive të opozitës në asnjë nga të gjitha miratimet që kanë ndodhur në këtë  legjislaturë dhe ky është i katërti me rradhë opozita nuk ka marr pjesë”- përfundoi Kusari- Lila.

Ndryshe, Qeveria e Kosovës, më 30.10.2024, ka miratuar Ligjin për Buxhetin për vitin 2025 me vlerë prej 3.6 miliardë euro.

Kryeministri Albin Kurti ka thënë se me këtë rast po shënohet një rekord historik, si “Qeveria e parë që miraton 4 buxhete vjetore”.

Kurti bëri të ditur se janë ndarë 930 milionë euro për investime infrastrukturore; 60 milionë euro për skema të shtesave për fëmijë; 105 milionë euro për nevoja të shëndetësisë; 87 milionë euro janë ndarë për nevoja të sigurisë e mbrojtjes, municion e pajisje furnizime të nevojshme dhe 788 milionë euro për komunat e Kosovës.

Për vitin 2025 buxheti i projektuar shënon nivelin 3 miliardë e 608 milionë euro, që është për rreth 300 milionë euro, apo shprehur në përqindje për 8.87 për qind më i lartë sesa ai i vitit 2024” – kishte thënë Kurti.

Kryeministri Kurti përmes një konference për media të mbajtur më 29.10.2024, njoftoi se një pjesë e rritjes së pagave do të bëhet nga janari, e pjesa e dytë e rritjes nga korriku i vitit 2025.

“Të gjithë të punësuarve në sektorin publik, pagat do t’u rriten për 55 euro nga janari, dhe për 55 euro tjera nga muaji korrik i vitit të ardhshëm”- kishte thënë ai, duke bërë të ditur se rritja e përgjithshme e pagave brenda vitit 2025 do të jetë gjithësej 110 euro bruto.

Qeveria miraton projektbuxhetin për vitin 2025, me vlerë 3.6 miliardë euro