Projekt për ngrohje me panele solare për tri lagje të Prishtinës

Drejtues të komunës së Prishtinë, diplomatë dhe donatorë kanë prezantuar sot në Prishtinë një projekt me të cilin kryeqytetit i ofrohet mundësi për ngrohje solare në në lagjet ku përdorimi i qymyrit është ndër format më të përhapura të ngrohjes.

Kryetari i komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, shpreson që ky projekt do të shtojë kapacitetet e Termokosit për të zgjeruar rrjetin në lagjet me banim individual si Tophane, Arbëri e Medrese.

Ai tha se më e rëndësishmja është që ky projekt “do ta zëvendësoj qymyrin me energji të ripërtëritshme diellore”.

“Ky projekt synon që brenda 3-5 viteve të ardhshme ta zgjeroj rrjetin përtej projektit të kogjenerimit e që po bëhet edhe në Kalabri Mat e Qendër”, tha Ahmeti.

“Termokos është një ndër projektet më me ndikim, deri para pesë vitesh ngrohja ka qenë me mazut, e cila ka qenë më e shtrenjtë dhe më e dëmshme. Deri në vitin 2013 kemi pasur 4 orë ngrohje në ditë mesatarisht. Projketi i koogjenerimit me ndihmën e KPK-së, për krijimin e energjisë së ngrohjes ka lehtësuar jetën e qytetarëve ku për një metër katrorë paguajnë 79 cent, kurse për një banese 60 metër katrorë diku rreth 40 euro në muaj”, tha Ahmeti.

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Christian Heldt, përgëzoi për iniciativën e këtij projekti dhe të mirat që do të vinin prej tij.

“Këtë vit ne festojmë 20 vjetorin e bashkëpunimit për infrastrukturë, dhe ky projekt është ndër më të qëlluarit, sepse Kosova merr rreze dielli dy herë më shumë sesa Gjermania dhe besoj se do ketë sukses edhe në fushën ekonomike”, tha ambasadori Heldt.

Kryeshefi ekzekutiv i ndërmarrjes Termokos Arsim Fetahu, tha se projekti i koogjenerimit është më i miri që nga paslufta, dhe ka ndikuar në përmirësimin e  jetës së qytetarëve.

Ndërsa Neil Taylor, shef i zyrës në Bankën Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, tha se shpreson që do të arrihet progres “me anë të një projekti që do jetë më i pastër dhe më i lirë”.

Kurse prezantimin për projektin për energji solare e bëri  Felix Eckert nga “Zgjidhja për energji të pastër”.

Me anë të këtij projekti  synohen të vendosen panele solare në disa fusha në Obiliq, me një hapësirë prej 69.000 metër katrorë, energji kjo që do përcillej me anë të tubave nëntokësore në lagjet e Tophane dhe Arbëria.

Projekti në total pritet të kushtojë rreth 34 milionë euro, por nuk dihet ende se kur do fillojë për shkak të shumë procedurave që komuna e Prishtinës ka me atë të Obiliqit për marrjen në shfrytëzim të pronave që janë të komunës në mënyrë që të vendosen panelet.

Me anë të këtyre paneleve do krijohet rreth 85Mgv energji nga e cila do përfitojnë rreth 65 mijë banorë, dhe sipas projektueseve nuk do ketë rritje në tarifat që do duhet t’i paguajnë qytetarët.

Projekti do të financohet nga BERZH, KFË, me ndihmën e donatorëve dhe Komunës.